Trump dhe Biden përballen për pandeminë dhe racizmin në debatin e fundit presidencial

Covid-19 dhe akuzat për korrupsion, taksat dhe shëndetësia, e në fund racizmi, ishin në fokus të debatit të dytë e të fundit mes Donald Trump dhe Joe Biden, 12 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale.

Përballë akuzave të Biden se presidenti nuk bëri asgjë për ta frenuar përhapjen e koronavirusit, Trump u përgjigj duke këmbëngulur se kjo është koha për të rihapur Amerikën dhe jo për një izolim tjetër.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se amerikanët nuk mund t’ia lejojnë vetes një tjetër krizë ekonomike, që mund t’i çonte ata drejt depresionit, alkoolit apo drogave të tjera. Presidenti tha, gjithashtu, se një vaksinë kundër koronavirusit do të jetë gati deri në fund të këtij viti ndërsa Biden paralajmëroi një dimër të errët, jo vetëm për SHBA, por për mbarë botën. Trump tha se tashmë e gjithë bota, edhe amerikanët, po mësojnë të jetojnë me Covid-in.

“Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA. Ky është i njëjti person që ju tha se do të zhdukej kur të vinin Pashkët. I njëjti person që ju tha të mos shqetësoheni, se do të marrë fund kur të vijë vera. Ne jemi tani në prag të një dimri të errët dhe ai nuk ka plane” tha zoti Biden.

Ndërsa Trump u kundërpërgjigj: “Nuk di gjë që jemi në prag të një dimri të errët. Ne po e rihapim vendin. Kemi mësuar, e kemi studiuar dhe e kuptojmë këtë sëmundje” 

Teksa debati u ndal te racizmi, presidenti Trump iu përgjigj akuzave të Biden se ai është racist: “Jam më pak racist nga çdokush tjetër në këtë dhomë” theksoi ai teksa u ndal gjatë te ligji i krimit të vitit 1994, të cilën e ka draftuar vetë Biden e për të cilën edhe lëvizja “Black Lives Matter” e akuzon për nxitje të urrejtjes dhe racizmit ndaj afro-amerikanëve.

Trump e përshkroi veten si presidentin më modern në historinë amerikane. Trump akuzoi Biden nga ana e tij se nëse zgjidhet, më 3 nëntor, do të shkatërrojë të gjithë industrinë e naftës.

Për çështjen e taksave, Trump i përmendi rivalit akuzat për marrëveshjet e biznesit të të birit. Në fund, të dy kandidatët i kërkuan amerikanëve votën, me premtimet për menaxhimin e duhur të pandemisë, por edhe për ndryshimet klimatike.

Në fund, Trump tha se kandidoi për president pikërisht për shkak të Barack Obamës dhe Joe Biden, sepse ata bënë për 8 vjet një punë të shumë të dobët për ta bërë Amerikën të madhe sërish. 

Moderator i debatit të parë, Chris Wallace nga Fox News, tha se ishte xheloz për këtë debat sepse kjo ishte ajo që amerikanët kishin nevojë të dëgjonin. Të dy kandidatët për në Shtëpinë e Bardhë folën qartë, më shumë për substancën dhe politikat sesa për njëri tjetrin. Sipas CNN, Trump foli për më shumë se 41 minuta ndërsa Biden për 37 minuta e 53 sekonda. Por kush fitoi në sytë e Twitter dhe rrjeteve të tjera sociale?

Reagimet ishin të shumta. Miliona amerikanë, dhe jo vetëm, ndoqën live në televizion debatin e shumëpritur. Konservatorët në përgjithësi kanë vlerësuar këtë herë performancën e Trump. Por përveç Trump e Biden, ndjekësit kanë vlerësuar si fituesen më të madhe të këtij debate, moderatoren dhe korrespondenten e NBC, Kristen Uelker, pasi me shumë hijeshi dhe vendosmëri iu bëri pyetjet 2 kandidatëve e po me aq hijeshi i mbyllte edhe mikrofonin, që secili të shpaloste platformën e tij .