Zeka: Akuzat ndaj Thaçit e Veselit janë konfirmuar, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Në Kosovë duket se guximi i zyrtarëve ka tejkaluar pritshmëritë dhe “dora e pabesë” ka arritur deri te thesari i shtetit. 2 milionë euro i mungojnë Kosovës. Por ku kanë shkuar? Për këto zhvillime, por edhe të tjera, foli në A2 gazetari, opinionisti, Milaim Zeka.

Fillimisht, ai foli për mungesën e 2,1 milionë eurove në thesarin e Kosovës, duke theksuar se kjo lëvizje ka ndodhur me dijeninë e plotë të politikanëve. “Çdo vjedhje që ndodh në Tiranë kryhet me miratimin e krerëve të shtetit. Nuk ka skandal të hajnisë në Tiranë që nuk është e përfshirë qeveria. E njëjta situatë është edhe në Kosovë. Janë një petë e lakrorit ose janë vetëm një pikë në oqeanin e vjedhjeve që i janë bërë Kosovës nga politikanët, që sot janë multimilionerë. Në anën tjetër, populli është varfëruar në mënyrë ekstreme. Ky njeri, i cili arriti të transferojë 2,1 milionë euro nga thesari ishte në koordinim absolut me politikanët e Kosovë, pasi në të kundërt nuk kishte për të ndodhur pa dijeninë e këtyre njerëzve”, u shpreh Zeka.

Më tej, Zeka foli mbi Gjykatën Speciale duke u shprehur se tashmë akuza ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve është e konfirmuar. “Aktakuza është e konfirmuar edhe këtë e dinë edhe këta persona. Për këtë ka ndodhur dje një takim. Tani do të kemi zhvillime të reja në Kosova. Nëse gjykata nuk del sot me deklaratë që aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit është hedhur poshtë, atëherë është e konfirmuar. Mosdeklarimi i Gjykatës sot e konfirmon aktakuzën. Thaçi mund të japë dorëheqje dhe ne mund të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas meje, zgjedhjet do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Jam shumë i bindur që qytetarët e Kosovës do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme në pranverën e ardhshme. Besoj se do ta kalojmë këtë periudhë në mënyrë të qetë, pasi Serbia është duke e vënë në dyshim ekzistencën e shtetit të Kosovës”, u shpreh Zeka.