75 vjet OKB, nga krizat humanitare te pandemia

Në shkurt të 1945, në Jaltë të Ukrainës, kryeministri britanik Winston Churchill, presidenti amerikan Franklin Roosvelt dhe lideri sovjetik Josef Stalin u takuan kokë më kokë, për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës që vijonte prej 6 vitesh, që do të ndante Gjermaninë e që më pas do të njihej në histori si konferenca që ndryshoi rendin botëror.

Në ato ditë, dukej se lufta po përfundonte. Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ishin tre vendet aleate me të mëdha dhe njëkohësisht vendet më të fuqishme të botës. Të tre udhëheqësit Franklin Delano Roosevelt, Winston Churchill, Josef Stalin ishin takuar tashmë më parë, gjatë Konferencës së Teheranit në vitin 1943.

Madje edhe atëherë, situata ishte mjaft e komplikuar, sepse Hitleri e kishte tradhtuar marrëveshjen “Molotov-Ribbentrop” e përcaktuar në vitin 1941 ndërmjet ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë. Nuk do të kalonte shumë dhe në maj të 1945, Winston Churchill do të dilte në ballkon duke bërë shenjën e fitores.

Bashkimi  i shteteve kundër “makthit” të luftës botërore

Ky 24 tetor, do të shënojë edhe 75 vjetorin e krijimit të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi ishte bashkimi i shteteve kundër Luftës së Dytë Botërore, për të parandaluar një tjetër konflikt të tillë të përgjakshëm e për të zëvendësuar Ligën e Kombeve, bashkimin që deri në ato momente kishte rezultuar aspak efektiv.

Në qershor të 1945-ës, delegatët nisën të mbërrinin në San Francisco, në takimin ku pritej të aprovohej ai që u konsiderua një kapitull I ri I “Kombeve të Bashkuara”. Ishin përfaqësues të 50 shteteve. Ata nisën të diskutojnë fillimisht propozimet e Kinës, Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të periudhës gusht-tetor 1944. Bashkimi u realizuar zyrtarisht më 24 tetor 1945.

 “Është detyra ime, nderi dhe privilegji im që të drejtoj këtë konferencë dhe të kërkoj votën për aprovimin e një kapitulli të ri për kombet e bashkuara, përfshirë këtu Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe marrëveshjen për rregullimet e brendshme”,  ishin fjalët e Lord Halifax, kryesuesi i Konferencës.

Ndërkohë, për ish-presidentin amerikan Harry Truman, “ne të gjithë i pranojmë rezultatet e kësaj konference, në ngritjen e kësaj strukture të përkohshme të paqes, ku duhet të nisim të ndërtojmë nën drejtimin e zotit, një botë më të mirë për fëmijët e nipërit tanë, pasi ata duhet dhe mund të jetojnë”,

Asambleja e parë e Kombeve të Bashkuara u mbajt në Londër. Ceremonia që do të inauguronte fillimin e punimeve për ndërtimin e zyrave qendrore të OKB në Nju Jork, nisi më 14 shtator 1948. Godina u përfundua vetëm 4 vite më vonë, në 1952.

Deklarata Universale për të drejtat e njeriut u adoptua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 10 dhjetor 1948 në Paris.

 “Jemi mbledhur sot këtu, në këtë event të jashtëzakonshëm të Kombeve të Bashkuara, në botën e njerëzve. Kjo deklaratë universale të drejtave të njeriut do të shndërrohet në një kartë ndërkombëtare të njerëzimit, kudo që ata janë”, deklaroi aty Eleanor Roosevelt, ish-zonja e parë amerikane.

OKB në krizat ndërkombëtare

Plani i ndarjes i Kombeve të Bashkuara për Palestinën ishte një propozim i Kombeve të Bashkuara, i cili propozonte ndarjen e detyrueshme të Palestinës në fund të mandatit britanik, më 29 nëntor 1947, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së adoptoi planin si rezoluta 181.

Në maj të vitit 1949, pas disa mbledhjeve radhazi, u arrit një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës me Izraelit dhe fqinjëve arabë. Nga ai moment, Izraeli u pranua formalisht në Kombet e Bashkuara.

Lufta shpërtheu në qershor të vitit 1950 në Kore, me trupat koreano-veriore që kaluan paralelin e 38-të. Këshilli i Sigurimit, në mungesë të Bashkimit Sovjetik, votoi në mbështetje të Koresë së Jugut. Marina e Shteteve të Bashkuara, u stacionua në bregun e Inchon në shtator dhe ndryshoi në mënyrën më radikale, situatën kritike mes dy Koreve, për herë të parë.

Përmes një dimri të gjatë dhe një fushate intensive, Kombet e Bashkuara dhe forcat koreano-jugore, kaluan po ashtu paralelin 38 dhe hynë në kufirin e lumit Yalu. Atje u përballën me forcat e armatosura të Republikës Popullore të Kinës, duke luftuar Korenë e Veriut, duke detyruar trupat të kalojnë edhe një herë paralelin 38, kufirin mes dy Koreve që nga koha e luftës mes tyre.

Në Nju Jork, Këshillit I Sigurimit ftoi zëdhënësin e Republikës Popullore të Kinës, edhe pse nga Kombet e Bashkuara nuk njihen zyrtarisht. Gjenerali Vu iu kundërpërgjigj akuzave të Shteteve të Bashkuara, po me akuza. Një rezolutë që trupat kineze të tërhiqeshin, u rrëzua nga veto sovjetike, për të 47 herë në 5 vjet.

Më 23 shtator 1956, qeveritë e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar i kërkuan presidentit të Këshillit të Sigurisë një mbledhje të këshillit për të marrë në konsideratë situatën e krijuar nga një aksion i njëanshëm i qeverisë së Egjiptit, për t’i dhënë fund një sistemi të operacioneve ndërkombëtare në kanalin e Suezit. UNEF, e para Forcë Emergjente e Kombeve të Bashkuara u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për tu siguruar që t’i jepet fund krizës së Suezit, me rezolutën 1001, më 7 nëntor 1956.

Kriza kubane kujtohet nga historianët si një nga përballjet më dramatike të Luftës së Ftohtë. Avionët spiunë amerikanë zbuluan në tetor të vitit 1962 se Bashkimi Sovjetik kishte vendosur në mënyrë sekrete armë nuklearë në Kubë, 90 milje nga bregdeti amerikan. Presidenti amerikan John F Kennedy urdhëroi një bllokadë detare në Kubë, për t’i dhënë fund luftimeve sovjetike, përmes armëve mesatare balistike. Në atë moment, lideri sovjetik Nikita Krushev u tërhoq.

 “Miqtë e mi, banues të këtij planeti, na lejoni që të merremi me këtë situatë në asamblenë e OKB. Na lejoni që të shohim në qoftë se ne, mund ta drejtojmë botën në paqe”. Deklaroi në atë kohë John Kennedy.

Gjatë të gjithë historisë së saj prej disa dekadash, OKB ka marrë pjesë në më shumë se 70 misione paqeje.

OKB në kohën e pandemisë

Shpesh, në të shkuarën Kombet e Bashkuara kanë përjetuar përballje e kriza vërtet të forta. Mes tyre, më e vështira Lufta e Ftohtë, rivaliteti mes shteteve, kërcënimet e Bashkimit Sovjetik apo Kinës, me luftë apo edhe veto në OKB. Në vitet ’90, reputacioni i Kombeve të Bashkuara u dëmtua rëndë, për shkak të konfliktit në ish-Jugosllavi, pasi e vetme u desh të përballet jo vetëm me reputacionin e saj, vendosur në lojë, bashkë me të edhe me rrezikun e dështimit të operacioneve humanitare.

75 vjet më pas, Kombet e Bashkuara me pjesën tjetër të botës, sot përballet me pandeminë koronavirus, e cila ka vënë në pikëpyetjet aftësinë e shteteve të fuqishme për të reaguar e luftuar por trupi me 193 anëtarë sot është më efektive dhe solidare se kurrë.

Kur Covid-19 nisi të përhapet qark botës në fillim të këtij viti, duke detyruar miliona njerëz të humbasin vendet e punës e duke përjetuar një krizë të fortë ekonomike e shëndetësore, dhjetëra shtete kanë kthyer sytë nga Kombet e Bashkuara. Si të mos mjaftonte pandemia, koronavirusi dhe përhapja e saj nga Kina në mbarë botën, nxiti një tension të ri mes saj dhe SHBA-ve, duke shkaktuar një shkundje të fortë në marrëdhëniet diplomatike mes Pekinit dhe Uashingtonit.