Bylykbashki: Kodi Zgjedhor i Ramës eliminon kandidatët e pavarur

bylykbashi 1100x620

Oerd Bylykbashki ka akuzuar kryeministrin Rama se me Kodin e ri Zgjedhor asgjëson kandidatët e pavarur. Përmes një postimit të gjatë në facebook, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik shpjegon se Kodi i Ramës, barazon kandidatin e pavarur që propozojnë zgjedhësit, me partinë apo koalicionin që ka mijëra militantë nga pas.

Sipas tij kandidati i pavarur duhet të marrë 1% të votave në shkallë vendi njësoj sa një parti‎ politike apo koalicion. Por, shpjegon Bylykbashi, partia apo koalicioni mund t’i mbledhin votat në të 12 qarqet ku konkurrojnë, kurse kandidati ka të drejtë të garojë e të mbledhë vota vetëm në një qark.

Duke e konsideruar një nga pabarazitë antikushtetuese të Kodit Zgjedhor, Bylykbashi thekson se Rama kërkon që të bëhen nul dhjetëra-qindra e mijëra vota votuesish që më, 25 prill 2021 do të votojnë kundër tij.

Postimi i plotë i Bylykbashit

Kodi Zgjedhor i Edi Ramës vret kandidatët e pavarur.

Me sistemin zgjedhor gjerman të vitit 2000 me 100 zona mazhoritare dhe 40 mandate në një zonë proporcionale në shkallë vendi, një kandidat i pavarur zgjidhej në zonën mazhoritare pa patur nevojë për të kapëcyer ndonjë prag zgjedhor kombëtar siç u duhej partive.‎

Me sistemi proporcional ra‎jonal spanjoll të vitit 2008, kandidati i pavarur zgjidhej në qarkun ku kandidonte pa patur nevojë për të kapërcyer ndonjë prag zgjedhor rajonal siç i duhej partive, mjaftonte që ai të arrinte votat që duheshin për një mandat.

Me sistemin Paçavure Rajonale që sajoi Rama, edhe nëse kandidati i pavarur mbledh vota të mjaftueshme për një mandat në qark, ai skualifikohet nëse nuk arrin 1% të votave në shkallë vendi. Kodi i Ramës, duke aplikuar pragun 1% për “subjektet zgjedhore” barazon kandidatin e pavarur që propozojnë zgjedhësit, me partinë apo koalicionin që ka mijëra militantë nga pas.

Nëse votojnë‎ 1,5 milionë zgjedhës, që kandidati i pavarur të ketë të drejtë të futet në garë për mandat duhet të ketë marrë 1% të votave në shkallë vendi, apo 15 mijë vota, njësoj sa një parti‎ politike apo koalicion. Ama partia apo koalicioni mund t’i mbledhin votat në të 12 qarqet ku konkurojnë, kurse kandidati ka të drejte të garojë e mbledhë vota vetëm në një qark.

Nëse kandidati i një partie apo koalicioni që e kapërcen pragun zgjedhor kombëtar 1%, zgjidhet me‎ vetëm 10 mijë vota në një qark, kandidati i pavarur në të njëjtin qark nuk zgjidhet dot edhe pse ka 10 mijë vota, njësoj sa kandidati i partisë apo koalicionit që garon në të njëjtin qark. Atij i duhen 15 mijë vota.

Hoqi me kushtetutë të drejtën e koalicioneve që të propozojnë kandidatë. Më pas sajoi një lloj koalocioni që sa më pak parti të bashkohen kundër tij, dhe tani eleminon de facto me Kod të drejtën kushtetuese të zgjedhësve për të propozuar kandidatë të pavarur. Rama kërkon që të bëhen nul dhjetëra e qindra mijëra vota votuesish që më 25 prill 2021 do të votojnë kundër tij.

Kjo është një nga pabarazitë antikushtetuese të Kodit të Edi Ramës që e miratoi me votat e çetës ndihmëse që e quan veten opozitë në parlament. Por me kismet do të kemi Gjykatë Kushtetuese në të ardhmen “falë” reformës në drejtësi dhe kjo pune do të rregullohet.