Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Humb betejën me koronavirusin ish-drejtuesi i klinikës infektive në QSUT Elmas Eltari

Nga A2 CNN
24 Tetor 2020, 10:41 | Aktualitet
Humb betejën me koronavirusin ish-drejtuesi i klinikës infektive

Ish-drejtuesi i klinikës infektive në QSUT, Elmas Eltari ka humbur jetën në moshën 85-vjeçare për shkak të koronavirusit. Lajmi u dha nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ka shprehur ngushëllimet për humbjen e madhe në mjekësinë shqiptare.

“E trishtuar për ndarjen nga jeta të prof. Elmaz Eltarit, ish drejtues i klinikës infektive, një nga ata mjekë të rrallë, që njihej ndër kolegë dhe pacientë për humanizmin e tij. Megjithë përpjekjet e kolegëve, profesori 85-vjeçar nuk mundi ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm #COVID19 Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes, prof.Afërditës, familjarëve dhe miqve të prof. Elmazit!”, shkruan ministrja.

Profesor Eltari gjithë jetën ia kushtoi zbulimit dhe kurimit të sëmundjeve infektive, por nuk mundi t’i mbijetonte virusit Sars-Cov-2. Profesor Elmas Eltari nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen.

I lindur dhe arsimuar në Tiranë, profesor Eltari në vitin 1962 përfundoi Fakultetin e Mjekësisë. Po në këtë vit u emërua mjek në Spitalin e përgjithshëm Tiranë, në klinikën e “Sëmundjeve Infektive”. Pasi kreu specializimin pasuniversitar si Infeksionist, në vitin 1968 u emërua si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Ndërsa, prej vitit 1978 ishte Shef i Klinikës Universitare të “Sëmundjeve Infektive” dhe shef i lëndës së “Sëmundjeve Infektive dhe Epidemiologjisë”.

Në vitet 1978-1980 ka dhënë ciklin e plotë të leksioneve në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Puna studimore e profesor Elmas Eltari lidhet dhe me 22 botime shkencore; tekste mësimore, monografi, manuale, atlase etj. është bashkëautor i tekstit të parë mbi “Sëmundjet infektive”, autor i tekstit “Sëmundjet e Brendshme” për Infermieristikën, autor i manualit pasuniversitar “Antibiotikët dhe Infeksionet bakteriale”, studimit “Sëmundjet Diarreike në Spitalin Infektiv të Tiranës”. etj.

Profesor Eltari ka botuar dhe mbi 70 artikuj në shtypin mjekësor shkencor shqiptar dhe 5 artikuj shkencor në shtypin mjekësor botëror. Në vitin 1989, ka deklaruar rastin e parë me AIDS në Shqipëri, ka vërtetuar për herë të parë, praninë e borreliazës në Shqipëri

Ai njihet dhe si zbuluesi i “Etheve Hemorragjike virale’. Ka studiuar epideminë e Kolerës në Shqipëri dhe atë të Poliomelitit në vitin 1996. Ndërsa në vitin 2011 ka botuar “Atlasin e Sëmundjeve Infektive” me 600 fotografi.

Ndërkaq në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë ndërruar jetë edhe 3 persona të tjerë; një 21-vjeçar nga Elbasani me disa sëmundje bashkëshoqëruese, një 49-vjeçar nga Elbasani dhe një 70-vjeçar nga Kurbini me sëmundje shoqëruese. Në të gjithë vendin janë kryer 1412 testime për koronavirus, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 306 qytetarë.

Ministria njoftoi se janë shëruar 71 qytetarë, ndërsa në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 260 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë të intubuar. Vendosja e maskës, ruajtja e distancës dhe kujdesi për higjienën, mbeten thirrjet e autoriteteve për qytetarët

A2 CNN Livestream

Dita jonë