Mediu: Shqipëria në BE mandatin e ardhshëm, shpresa është rinia

Brenda mandatit të ardhshëm, Shqipëria duhet të jetë anëtare e BE-së. Ky është premtimi i liderit të Partisë Republikane gjatë një takimi të aktivistëve të partisë në Tiranë.  

Në fjalën e tij kryetari Fatmir Mediu deklaroi se kur Rama erdhi në pushtet, Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s falë angazhimit të të gjithë qeverisë për të luftuar krimin dhe falë reformave ekonomike dhe institucionale, mundim i shpërblyer me liberalizimin e vizave me BE.

Sipas Mediut  “Rama mohoi dhe shkatërroi çdo gjë, duke bërë që Europa të jetë një ëndërr e largët”, ndërkohë që vendi u mor peng nga krimi dhe korrupsioni.

Sipas tij, opozita duhet të rindërtojë besimin  “duke garantuar pjesëmarrjen reale të vlerave politike dhe njerëzore të historisë të së djathtës” dhe sidomos rinisë, e cila duhet të ndërtojë shtetin europian me një platformë të qartë dhe me pjesëmarrje në parlament e qeveri.

“Shpresa është te rinia! Pa shpresë një komb pushon së ekzistuari!”- theksoi Mediu në fjalën e tij.