Vildan Tufi, kolosi i atletikës shqiptare

Kampionët derdhin vetëm lot gëzimi. Edhe lotët e Vildan Tufit në daljen e tij të fundit publike janë lotët e gëzimit të një kampioni të madh, për sukseset e panumërta të karrierës së tij.

Vildan Tufi është një nga kampionët e rallë që la gjurmë rekordesh në atletikë, futboll, boks dhe në të gjitha disiplinat e tjera sportive. Strukur në modestinë dhe përulësinë e tij, Mjeshtri i Madh i Sportit shkodran u shua në heshtje, i mundur nga një sëmundje e pashërueshme.

I cilësuar me të drejtë një prej kolosëve të sportit shqiptar, Vildan Tufi ka stërvitur disa prej atletëve më të rëndësishëm në vend, në garat e kërcimit së gjati, trehapësh, garat e shpejtësisë dhe 10-garësh. Puna e tij ka prodhuar sportistë të mëdhenj, nga Vera Bregu te Armir Bregu, për të vijuar me Arbana Xhani, Izmir Smajlaj, të cilin e udhëhoqi drejt titullit kampion të Europës, e së fundmi me një prej premtimeve të mëdha të mbretëreshës së sporteve, Erisa Rrasa.

I lindur në Shkodër më 14 prill 1945, Vildan Tufi ia dedikoi jetën atletikës. Fillimisht si sportist dhe më pas në trajnim, duke bërë që nga puna e tij Shqipëria të fitojë kampionë të mëdhenj kombëtarë, por edhe të regjistrojë disa prej rezultateve më të larta në arenën ndërkombëtare.

Në qershor të këtij viti, Presidenti Ilir Meta e dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për atletikën.

Vildan Tufi do të njihet gjithmonë si një prej kolosëve të atletikës me ekipin e Vllaznisë dhe Kombëtaren shqiptare, ndërsa si trajner është fitues i 80 medaljeve kombëtare dhe dhjetëra medaljeve ndërkombëtare.