A do ta ngrejë presidenti popullin në protestë? Meta: Nuk e kam si qëllim, shpresojmë te reflektimi i mazhorancës

meta 4 1100x620

Presidenti Ilir Meta, në daljen e tij të përjavshme para gazetarëve, u shpreh se nuk ka për qëllim nxitjen e protestave, por shtoi se “në kushtet kur ka përpjekje për të shtypur të drejtat e të gjithë qytetarëve për interes të një pakice që bllokon integrimin europian të vendit dhe zhyt në borxhe vendin, padyshim që presidenti e di se çfarë kërkon populli dhe nuk do të presë popullin t’i japë drejtim, por në të njëjtën gjatësi vale do ta zgjidhim këtë çështje”.

“Ne shpresojmë te reflektimi dhe përgjegjshmëria. E dimë që ka pasur më parë opinione të Venecias që nuk janë respektuar, por shpresojmë në reflektim. Pastaj, presidenti ka shumë zgjidhje që do të kërkojnë bashkimin e popullit. Të gjithë kanë detyrë të respektojnë marrëveshjen e “5 qershorit”. Se si do të veprojë Kuvendi njëpartiak, kjo është përgjegjësi e tij. Presidenti do të jetë gjithmonë në lartësinë e detyrës për të mbrojtur rendin kushtetues”, theksoi Kreu i Shtetit.

Meta nënvizoi se është në detyrë “për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sidomos në një vend që ka edhe kryesimin e OSBE-së, vend anëtar të Këshillit të Europës, të një vendi fqinj me Maqedoninë e Veriut, që ka treguar se si mund të organizohen zgjedhje model”.