Covid-19 në Itali, spitalet përgatiten për valën e dytë

Reparti i terapisë intensive është një vend përqëndrimi total. Nuk dëgjohen biseda, por vetëm pulsimi ritmik i makinerive, frymëmarrja e njëtrajtshme e pacientëve në ventilatorë.

“Ospedale Maggiore di Lodi” ishte në linjën e parë të betejës me pandeminë më herët gjatë vitit, dhe tani stafi po bëhet gati për të dytën.

Mjeku Matteo Brambati paralajmëron një tjetër makth.

“Është si hedhja e dytë për një parashutist. Herën e parë nuk e di çfarë të pret. Hera e dytë është më problematike, pasi e di se çfarë po vjen.” shprehet mjeku, Matteo Brambati.

Për momentin spitalet italiane janë në gjendje të përballojnë numrin e pacientëve në terapitë intensive. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë ndërsa numrat vazhdojnë të rriten. Drejtori i pavionit të terapisë intensive, Enrico Storti, mbledh vazhdimisht kolegët për përmbledhje.

 “Mblidhemi për të vlerësuar çfarë bëmë, të propozojmë idetë tona, për të sjellë në tavolinë zgjidhjet tona”, shprehet ai.

Të mbledhur në këtë dhomë, janë ndoshta disa nga ushtarët me më shumë eksperiencë në luftën ndaj Covid-19, jo vetëm të Italisë, por ndoshta të botës.

Doktoresha Annalisa Malara, diagnostikoi pacientin e parë të Italisë me koronavirus, më 20 shkurt.

 “Jemi gati pasi kemi mësuar shumë”, shprehet ajo.

Por kjo luftë, si të gjitha luftërat, e ka një bilanc.

“U ndjeva si ushtarët gjatë luftërave botërore. Nuk e di. Mendoj se e kam përjetuar atë që ata djem të rinjë përjetuan në kohën kur shkonin në luftë duke e ditur se mund të vdesin.”

Shtretërit bosh janë gati për më shumë pacientë.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 8 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 879 raste të reja në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 589 të shëruar në 24 orët e fundit