Dr. Muço: Projektbuxhet utopist, viti i ardhshëm do të jetë i vështirë

Pedagogu i ekonomisë, dr. Klodian Muço, nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ishte i ftuar në “Ditari” në A2, ku komentoi projektbuxhetin dhe premtimet e mazhorancës. Gjithashtu, foli edhe për programin ekonomik të demokratëve.

“Projektbuxheti është optimist për sa i përket rritjes së të ardhurave, që presupozohet që të jenë mbi 10% në raport me vitin 2020. Mund të them që është projektbuxhet utopist, duke nisur pikërisht nga ky vit, që është një nga më të vështirët në këndvështrimin ekonomik. Në të tilla kushte, presupozohej që në projektbuxhetin e vitit 2021 të merreshin disa masa konkrete që të ndaheshin në dy grupe: mbështetja sociale dhe mbështetja e biznesit. Në projektbuxhet, 7,4% e GPD-së do të shkojë për investime publike. Kur diskutojmë për mbi 100 000 persona që humbin vendin e punës dhe mbi 5000 binzese që do të mbyllen, te ne diskutohet për ndërtime në infrastrukturë. Vijojmë të flasim ende për PPP-të. Deficiti buxhetor do të jetë diku te mbi 800 milionë euro. Në një vend ku kemi një borxh publik që ka kaluar 80%, në një vend në zhvillim, qeveria po zgjeron borxhin duke e çuar 100% të GDP-së. Ky është një aspekt që duket sikur nuk ka lidhje me ekonominë shqiptare. Një aspekt tjetër është heqja e tatimfitimit për biznesin e vogël apo rritja e pagës minimale. Rritja e pagës është e mirë për shumë individë, por është politikë që bëhet në kurriz të punëdhënësit në një vit kaq të vështirë. Edhe viti i ardhshëm do të jetë i vështirë dhe i shton barrë biznesit”, shprehet dr. Muço.

“Të gjitha këto masa që merren në një vit të vështirë janë barrë për qeverinë e ardhshme. Ajo do të gjendet me një deficit buxhetor shumë të lartë. Heqja e tatimfitimit për biznesin e vogël dhe heqja e tavanit të TVSH-së kushton në arkat e shtetit 30 miliardë më pak. Si do të zëvendësohen këto? Nuk e kemi më luksin për të rritur borxhin publik sepse rritet edhe risku për të mos e paguar këtë borxh. Mendoj se qeveria do të reflektojë dhe një pjesë të këtyre premtimeve do t’i rishikojë”, shtoi dr. Muço.

Sipas tij, largimi i mjekëve nga Shqipëria mund të zgjidhet shumë lehtë: “Kemi rreth 18 000 mjekë e infermierë. Nëse kërkojmë që t’i mbajmë, rrogën e mjekut duhet ta bëjmë 2000 euro dhe të infermierit 1000 euro. Impakti në buxhetin e shtetit do të ishte 53 milionë euro. Koncesionet e firmosura ndër vite në sistemin shëndetësor shkojnë diku në 400 milionë euro”.

Në lidhje me premtimet ekonomike të opozitës, dr. Muço u shpreh: “Pjesa dërrmuese e vendeve të zhvilluara kanë taksë progresive. Debati nuk është taksa e sheshtë apo taksa progresive. Problemi i Shqipërisë është burokracia apo numri i madh i taksave. Ndryshimi në vetvete gjeneron optimizëm, dhe ndryshimi në taksën e sheshtë do të shikohej me optimizëm nga investitorët. Taksa 9% do të reduktonte burokracitë dhe do ta bënte kompetitive në rajon vendin tonë. Nëse reduktojmë presionin fiskal, do të tërhiqnim vëmendjen e investitorëve të huaj. Sa i përket premtimit për rritje pagash nga opozita, kjo rritje nuk mund të bëhet me ligj, por me përmirësimin e ekonomisë. Nuk mund të bëhet në mënyrë të menjëhershme”.