Kaosi te Barcelona, Bartomeu “driblon” referendumin duke shfrytëzuar pandeminë

bartomeu 600x338

Edhe pse u përfol se Josep Maria Bartomeu ishte gati të jepte dorëheqjen, për t’i paraprirë mocionit të votëbesimit të tifozëve, presidenti i Barcelonës nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Pas ankesës së dorëzuar te Garda Civile, se po falsifikohen firmat për të plotësuar numrin e nevojshëm për referendumin, drejtuesi i klubit ka ndërmarrë një tjetër manovër për të “dribluar” largimin.

Bartomeu i dorëzoi autoriteteve të Katalunjës kërkesën, ku argumenton se situata aktuale pandemike dhe gjendja e alarmit në vend, e bën të pamundur organizimin e votimeve për bordin drejtues të “blaugranave”.

Sipas tij, prej rikthimit me ritme të frikshme të infektimeve nga koronavirusi, organizimi i votimit popullor për të caktuar presidentin e ri të Barcelonës do të përbënte rrezik për të gjithë njerëzit, por mbi të gjitha do të shkelte protokollet sanitare të përcaktuara nga shteti.

Sipas kundërshtarëve të Bartomeu, pasi u plotësua numri i nevojshëm i firmave, referendumi duhet të zhvillohet në datat 1 dhe 2 nëntor, duke mundësuar rritjen e numrit të qendrave të votimit, në 21 të tilla. Drejtuesit aktualë të skuadrës, pretendojnë se diçka e tillë është e pamundur të realizohet në aspektin logjistik dhe se stadiumi “Camp Nou” do të shërbejë si pika e vetme e votimit. Por, grumbullimi i mijëra njerëzve në ambientet e impiantit do të ishte i pamundur, sepse thyen rregullat e gjendjes së alarmit në Spanjë.

Kjo është arsyeja përse të gjithë, po e akuzojnë presidentin Bartomeu, se po provon me të gjitha mënyrat që të evitojë largimin e menjëhershëm nga klubi. Ndërkohë, kaosi te Barcelona vazhdon.