Kodi Zgjedhor, Rama: Mendimi i Venecias i mirëseardhur, por procedura është e qartë. Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë!

Kryeministri Edi Rama la të kuptohet se Parlamenti nuk do të presë opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kodin e ri zgjedhor, pasi presidenti Ilir Meta e dërgoi ligjin e shumëdebatuar atje.

“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë!”, shkroi Rama në Twitter.

“Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venecias mirë se të vijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”.

Reagimi i kryeministrit erdhi si përgjigje ndaj komisionerit europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili tha se Parlamenti duhet të merrte në konsideratë mundësinë e pritjes së opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me Kodin Zgjedhor para se të rrëzonte dekretin e presidentit.

Më herët gjatë ditës, Rama konfirmoi qëndrimin se dekreti i Metës, i cili ktheu me një arsyetim prej mbi 80 faqesh Kodin Zgjedhor, do të votohej sa më parë në Kuvend pa asnjë ndryshim.