“Më dhanë çmimin Nobel për paqen”, Trump: Vuçiç dhe Hoti u përqafuan në Zyrën Ovale

Marrëveshja për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë risillet në vëmendje sërish nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ai pretendon se ka fituar një çmim Nobel për paqen pasi ndërmjetësoi këtë ujdi, si dhe nënvizon se Hoti dhe Vuçiç u përqafuan në Zyrën Ovale pas nënshkrimit.

“Kishim Serbinë dhe Kosovën, me të cilët bëmë një marrëveshje. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për vite e vite dhe dekada. Merreshim veçmas me ta. Unë u thashë, miq, nëse nuk e mblidhni mendjen nuk do të merremi më me ju, nuk kemi pse. Unë thashë, prisni pak. Ata kanë luftuar dhe vrarë njëri-tjetrin për shumë vite. Unë u thashë njerëzve të mi: Kërkojuni të punojnë për të arritur një marrëveshje, ndryshe nuk do të bëjmë ujdi me asnjërin prej tyre.

E dini çfarë? Ata u përqafuan dhe u puthën në Zyrën Ovale dhe ishin shumë të lumtur. Kjo erdhi pas shumë vitesh. Askush nuk mendonte se do të ndodhte. Ajo marrëveshje ishte më e vështirë se mes Izraelit dhe Palestinës. Me Serbinë dhe Kosovën nënshkruam një marrëveshje. Ata më dhanë një çmim Nobel për paqen për këtë. Më dhanë Nobelin për Paqen edhe për diçka tjetër. Duhej të më jepnin edhe një Nobel për Paqen, për atë çfarë kam bërë në Siri. Kur them më dhanë çmim Nobel, nënkuptoj më kandiduan”, u shpreh presidenti.