Pandemia në arsim, mbyllet një shkollë në Kavajë dhe klasa të tëra në vend

Koronavirusi mbyll shkollën e parë në Shqipëri dhe klasa të tëra në këto institucione. Bëhet fjalë për shkollën e fshatit Blerimaj në Kavajë, ku të 12 mësuesit e saj janë izoluar, një pjesë si raste pozitive dhe të tjerë të dyshuar.

Ndërsa mbyllja e pjesshme e klasave për shkak të virusit, është bërë e zakonshme veçanërisht në Tiranë. Rasti më i fundit është në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet pas infektimit të një nxënësi të klasës së tetë. Mësimi në këto institucione po zhvillohet online.

“Shkolla në Kavajë është mbyllur pasi ka pasur mësues që janë dërguar në karantinë. Në pamundësi për t’i zëvendësuar në një kohë të shpejtë, e kemi kthyer mësimin online. Është shkollë e vogël në fshatin Blerimaj. Ndërsa mbyllje të pjesshme ditore kemi pasur në një klasë në Gjirokastër, një klasë në Vorë, në Bulqizë. Aktualisht është vetëm një grup i një klase në shkollën “Fan Noli”. Mësimi po zhvillohet online.”

Aktualisht, 120 mësues dhe 60 nxënës në të gjithë vendin janë të izoluar si raste të prekura apo të dyshuara nga virusi.

Fiqiri Çifligu, përgjegjësi i arsmimit parauniversitar thotë se deri tani nuk ka raste të rënda te mësuesit dhe nxënësit e prekur. Ndërkohë, mësimi po vijon nga mësuesit zëvendësues. Nga ky rregull nuk përjashtohen as shkollat private.

“Përpiqemi të mbulohen me specialitete si shkollat publike ashtu dhe ato private. Në dijeninë time nuk ka shkolla private që mësimin ta kenë kthyer online”.

Numrin më të lartë të infektimeve në shkolla e ka Tirana, e cila është vatra kryesore e koronavirusit ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra.