Plotësimi i BKH, të “djegurit” padi në gjykatë: Të pezullohet gara

Procesi i përzgjedhjes së 60 anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) mbërrin në dyert e Gjykatës Administrative. Disa prej aplikantëve të skualifikuar në testin fizik nuk janë dakord me rezultatin dhe kanë shfaqur pretendime për mungesë transparence.

Për këtë shkak, përmes kësaj padie ata i janë drejtuar Administratives, ku kërkojnë të shpallet e pavlefshme kjo fazë e konkurimit. Në padinë që i është bërë e ditur edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, asaj të BE, si edhe SPAK-ut, pretendohet mungesë e transparencës nga BKH gjatë procedurës së testimit fizik, ndryshe nga fazat e tjera. Sipas paditësve, në këtë testim nga BKH nuk është përcaktuar norma minimale për kalimin e testit, nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe nuk është pasqyruar mënyra e përllogaritjes së pikëve.

Në të njëjtën padi, kërkohet, si masë sigurimi, pezullimi i procesit të përzgjedhjes së BKH. A2 mësoi se përveç padive në Administrative, disa nga të skualifikuarit i janë drejtuar me ankesë vetë BKH-së, ndërsa nuk kanë munguar edhe kallëzimet në SPAK.

Testimi fizik ishte i treti në radhën e testeve përzgjedhëse për në BHK, që mundën ta kalojnë vetëm 103 kandidatë, ndërsa u skualifikuan 300 të tjerë. Faza e katërt, e zhvillur këtë të hënë, ishte testi i esesë.