Prova ulëritëse për inceneratorët, Bozdo: Nëse SPAK nuk vepron, reforma në drejtësi, e dështuar

Nëse SPAK nuk vepron për inceneratorët, reforma në drejtësi është e dështuar. Kështu është shprehur në studion e “Dita jonë” në A2 CNN, përfaqësuesi i PD-së, Eno Bozdo. Sipas tij, procedura që është ndjekur është tërësisht korruptive që implikon kreun e qeverisë dhe ministrat e tij.

“Kemi të bëjmë me një grabitje në mes të ditës. Procedura që është ndjekur është tërësisht korruptive dhe implikon kreun e qeverisë dhe ministrat e tij.

SPAK-u duhet të kuptojë që kjo nuk është çështje korruptive që kemi parë e shohim, kjo është një çështje që zhbën apo bën suksesin e reformës në drejtësi. Këtu vidhet në mes të ditës, është kaq e rëndë që nëse SPAK nuk vepron për çfarë tjetër mund të veprojë”.

Bozdo thekson se PD pret rezultate nga SPAK, pasi provat, që ka dorëzuar PD, janë ulëritëse. Sipas tij, historia e inceneratorëve është dyvjeçare, por që ka kulmuar gjatë pandemisë.  

“Nëse SPAK nuk vepron refoma në drejtësi është e dështuar. Kjo është një histori dyvjecare, që ka kulmuar gjatë pandemisë. Kemi dorëzuar provat atje, provat janë ulëritëse. Ne presim rezultatet”.

Për menaxhimin e pandemisë nga qeveria, Bozdo thekson se është modeli se si nuk duhet menaxhuar një pandemi. Sipas tij, situata është jashtë kontrollit, ndërsa ekonomia po shkon drejt kolapsit të paralajmëruar.

“Pandemia, gjithçka është jashtë kontrollit dhe vendi që ka dhënë më pak mbështetje për ekonominë krahasuar edhe me Kosovën e Maqedoninë e Veriut.

8 muaj pasi shqiptarët u thirrën nga kryeministri për t’iu përshtatur rregullave, 8 muaj më vonë shohim që nuk kemi as shëndetin dhe as ekonominë.

Sot, Rama nuk flet një fjalë për tejmbushjen e spitaleve, bën sikur nuk ka ndodhur asgjë me ekonominë, e cila po shkon drejt kolapsit të paralajmëruar, ndihma sociale në nivelin më të ulët në Evropë”.

Gjatë bisedës në A2 CNN, Bozdo foli edhe për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në PD, i cili përcjell mesazhin se ashtu si qeveriset brenda PD-së, ashtu do të qeverisë popullin nesër në pushtet.

“Mesazhi që përcjellim është që, siç i bëjmë punët brenda PD-së ashtu do të qeverisim. Ky proces ka tejkaluar pritshmëritë edhe më optimiste. Ka filluar para dy vitesh, kur PD miratoi statusin e saj. Meritë të jashtëzakonshme ka anëtarësia e PD-së, sepse procesi mund të sillte sfida të mëdha, por ka kaluar shumë mirë. Thelbi është gara, ka pasur dhe situatë që mund të korrigjohen. Korrupsioni politik i PD-së do të përbëjë ofertën më të mirë për shqiptarët”.

Përsa u përket të skualifikuarve Bozdo u shpreh se miratimi i tyre shtyhet në një çast të dytë, ndërkohë që ata janë në PD, me respekt dhe kontributet e tyre.