Refuzimi i kthimit nga Siria, eksperti i sigurisë: Presion nga grupi dhe dezinformim

Refuzimi i disa prej banorëve shqiptarë të kampit famëkeq Al-Hawl për t’u kthyer në Shqipëri nuk vlerësohet si fenomen i pazakontë për ekspertët e sigurisë.

Duke marrë në konsideratë se motivet që i kanë çuar në Siri janë të ndryshme, po aq sa mënyra e përjetimit të kampit, eksperti Ergys Muzhaqi, thekson se ky qëndrim diktohet nga disa faktorë.

“Mund të jenë arsye të presionit të grupit ndoshta, që mund të lidhen me mentalitet ekstremist, sipas të cilit, dëshirojnë që të qëndrojnë aty. Pikë tjetër shumë e rëndësishme, që duhet të theksohet, mendoj që mund të jetë dezinformimi. Besoj se një pjesë e këtyre njerëzve duke qenë të shkëputur nga marrja e informacionit se si janë zhvilluar ngjarjet në Shqipëri, mund të jenë me mendimin që shoqëria këtu, shteti, ligji do t’i detyrojë të përballen me sanksione, me dënime”, tha Muzhaqi.

Për ekspertin Muzhaqi, sfida kryesore e të kthyerve do të jetë rehabilitimi, e më tej riintegrimi i tyre, në shoqëri.