Shqiptarët në Siri, 5 kthehen, të tjerët nuk pranojnë dhe fshihen

Mbi 80 fëmijë e gra shqiptare, në kampin Al-Hawl, në Siri, kërkojnë prej më shumë se 1 viti rikthimin pranë familjeve të tyre. Sot, ka diçka të re në lidhje me ta. Pesë prej tyre janë nxjerrë nga kampi, ndërsa ajo çfarë është e çuditshme, është se një pjesë e tyre janë fshehur dhe duket se refuzojnë të largohen që aty.

Gazetari i A2, Julian Kasapi, i cili ishte i pari në kampin sirian të Al-Hawl dhe që krijoi kontakte me shqiptarët e strehuar aty tregon disa nga detaje nga ky operacion që ka angazhuar të gjithë shtetin shqiptar, mes të cilëve dhe kryeministrin Rama që ka udhëtuar drejt Libanit.

Sipas gazetarit Kasapi, forcat shqiptare të antiterrorit janë vendosur prej një muaji në Liban dhe prej aty kanë vendosur kontaktet me autoritetet kurde të kampit. Para 3 ditësh, ata kanë mundur të hyjnë në kamp dhe tashmë 4 fëmijë dhe nëna e tyre janë nxjerrë.

“Mbetet për t’u përgëzuar operacioni, të paktën pas 1 viti kemi kontakte zyrtare me administratën e kampit nga shteti shqiptar për të bërë të mundur riatdhesimin e nënave dhe fëmijëve shqiptarë që vijojnë të mbeten në këtë kamp. Prej 1 muaji struktura Antiterror ka qenë në Liban, aty ku dhe nëpërmjet kontakteve me konsullin kanë komunikuar me autoritetet kurde. Kujtojmë edhe njëherë se autoritetet kurde nuk janë autoritet zyrtar për territorin zyrtar. Por e vetmja mënyrë për të bërë diçka për shqiptarët ka qenë komunikimi me ta. Struktura antiterror nuk ka qenë në Siri, 3 ditët e fundit ata kanë mbërritur në Kamishli. Janë përpjekur që me ushtarët kurdë të bëjnë identifikimin e shqiptarëve. Pala shqiptare ka pasur lokacionin ku ndodheshin. Ndihmë të madhe ka dhënë Brunilda Koshollari. Të dhënat e saj i janë dërguar shtetit shqiptar”, tha Kasapi.

Mësohet se shumë shqiptarë janë fshehur kur kanë mësuar për forcat e antiterrorit që kanë hyrë në kamp pasi i frikësohen sanksioneve dhe dënimeve. Ka pasur dhe informacione të rreme për kampin ku bëhen procedurat për deportim, sikur aty vriten nënat dhe fëmijët.

“Antiterrori ka hyrë para dy ditësh në kamp dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve janë larguar nga Al-Hawl. Ata kanë shkuar në kampin Roxh. Aty janë të identifikuar. Në këtë kamp, bëhen dhe të gjitha procedurat për t’u deportuar në Shqipëri. Problematikë tjetër është se administrata siriane lejon të merren vetëm fëmijët jetimë, por strukturat shqiptare kanë ndërhyrë. Tashmë, kemi 4 fëmijët e parë dhe nënën e tyre, mes tyre është dhe Endri Dumani. Por, kur strukturat shqiptare hynë në kamp ata nuk arritën të gjenin 5 familje. Bëhet fjalë për familjen e Emanuela Dacit, Elona Shulin, Myrvete Dibrën, Hajrie Taushanin. Evës, 15-vjeçare i është thënë që në kampin Roxh po vriten motrat, torturohen gratë dhe fëmijët dhe sigurisht që ajo ka frikë”, përfundon gazetari i A2.