Tendencë në rritje e të shtruarve, Manastirliu: Brenda javës mund të hapet COVID 3

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar spitalin COVID 3, i cili do të jetë në ndihmë të të sëmurëve me koronavirus, në mbështetje të dy spitaleve të tjerë.

Ministrja Manastirliu tha se ky spital i cili ka në strukturë 150 shtretër, mund të hapet brenda javës pasi në të dy spitalet COVID janë vetëm 40 shtretër të lirë.

“Janë gati për të filluar me aparatura. Janë 150 shtretër në këtë strukturë ku ka edhe një njësi të reanimacionit, nëse do të ketë nevojë pasi çdo gjë është vendosur sipas protokollit. Kemi 40 shtretër të lirë, por ka tendencë në rritje dhe brenda javës mund të hapet COVID 3. Te COVID 4  janë 100 shtretër”, tha Manastirliu.

Ndërsa mjekja, Najada Çomo, theksoi se përveç pajisjeve spitalore të nevojshme për të përballuar koronavirusin, këto muaj është investuar edhe në burime njerëzore.

“Është instaluar oksigjeni në çdo shtrat dhe janë pajisur me respiratorë. Trajnimi prej muajsh i burimeve njerëzore që kanë mbi 5 muaj që trajnohen. Infermierët janë rekrutuar përmes portalit një pjesë me dëshirën e tyre. Kemi kapacitete pa shfrytëzuar, maskimalisht dy spitale”.