Tensionet me Francën, Erdogan: Myslimanët në Europë, si hebrenjtë gjatë nazizmit

Përshkallëzohen tensionet mes Turqisë dhe Europës. Presidenti, Rexhep Tajip Erdogan, ashpërsoi retorikën duke akuzuar vendet e Bllokut se po zhvillojnë një fushatë kundër myslimanëve, njësoj si ajo kundër hebrenjve, përpara Luftës së Dytë Botërore.

Duke denoncuar “Islamofobinë” si një “murtajë të vendeve evropiane”, Erdogan solli vëmendjen sërish te përballja e ashpër me presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Mos blini mallra të markave turke në Francë, edhe unë nxis të gjithë qytetarët e mi këtu që kurrë të mos ndihmojnë apo blejnë market franceze”, u shpreh ai.

Më i ashpër ishte sulmi ndaj kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Flisni për lirinë fetare, por ju jeni fashistët e vërtetë. Jeni trashëgimtarë të nazistëve”, theksoi Erdogan gjatë një fjalimi.

Më herët, lideri turk u shpreh me fjalë të rënda ndaj Macron duke thënë se ka nevojë për kontroll mendor. Përplasja erdhi pasi Franca ndryshoi qasje ndaj komunitetit mysliman pas vrasjes së një mësuesi, i cili u tregoi nxënësve disa karikatura të profetit Muhamed.

Gjuha e përdorur nga Erdogan u dënua nga zyrtarë të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, tha se presidenti turk arriti një pikë të re, të ulët, me sulmet personale ndaj Macron dhe se deklaratat e tij janë totalisht të papranueshme.