Thaçi dhe Veseli në pritje, Gjykata e Hagës nuk jep detaje për aktakuzat

Gjykata Speciale nuk ka dhënë detaje nëse është ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në një përgjigje për “Kosovapress”, organi ndërkombëtar i drejtësisë, pohon se derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale. Gjithashtu, shton se konfidenciale mbesin edhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e aktakuzës.

“Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nëse një aktakuzë konfirmohet ajo do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të Akuzuarit para Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Afati për të vendosur lidhur me aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit përfundoi, të shtunën. Por, rregullorja parashikon që vendimi mund të mbahet sekret për publikun për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit apo ndonjë ndërhyrje të mundshme në procedurë, ose trazirat shoqërore.

Në prill, Prokuroria Speciale në Hagë, paraqiti një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara. Në dokumentin me 10 pika kërkohet ngarkimi i Thaçit, Veselit dhe disa personave të tjerë me “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.