Zëvendësministrja e Ekonomisë: Projektbuxhet realist, rindërtimi dhe shëndetësia prioritetet

Sot pritet të mblidhet Komisioni i Parë i Ekonomisë që do të diskutojë projektbuxhetin e vitit 2021, dhe zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave Vasilika Vjero tregon për A2 treguesit kryesorë ku mbështetet.

“Është një projektbuxhet realist, që mbështetet në një kuadër shumë të kujdesshëm, që merr parasysh dëmet e tërmetit dhe të COVID-19”, thotë ajo.

Sipas Vjeros, këto dy zëra do të kenë impakt domethënës, ku 27 miliardë lekë do të alokohen për rindërtimin, 1.5 për të pastrehët ndërkohë që do t’ i jepet rëndësi shëndetësisë, dhe rritjes së rrogave pikërisht në fushën e mjekësisë dhe arsimit.

Nuk do të ngelet pas edhe ndihma për fermerët, që do të kenë akcizën e karburantit me 60% më lirë se të tjerët.

Sipas zëvendësministres, “është parashikuar që rritja ekonomike do të ketë tkurrje me 6.1% këtë vit, ndërkohë që në vitin e ardhshëm pritet të jetë 5.5, dhe në një periudhë afatmesme 5%. Papunësia do të reduktohet në 12.2% nga 13.95% që kemi sot. Jemi përpjekur të konsultojmë situatën me FMN, dhe nuk ka diferenca midis asaj që ai institucion parashikon për Shqipërinë dhe parashikimi ynë”.