2500 të infektuar në ditë, Basha ngre alarmin për mungesën e transparencës dhe refuzimin e testimit

27 TETOR BASHA KONFERENCE frame 39942 1100x620

Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka denoncuar sot mungesën e transparencën dhe refuzimin e testimit të pacientëve me simptoma. Në komunikimin e përditshëm me gazetarët, Basha ngriti alarmin për numrin e të infektuarve që është shumë herë më i lartë, sesa shifrat që deklaron Ministria e Shëndetësisë.

“Mbrëmjen e kaluar, ekipi i shëndetësisë ka marrë raportime nga gjithë territori i vendit sipas përllogaritjeve të denoncimeve të qytetarëve me simptoma dhe nuk u bëhet tamponi prej ditësh, ka arritur në shifra disa herë më të larta sesa shifrat zyrtare të Infektivit.

Dje, mjekë specialistë e infektologë të vendit kanë ngritur alarmin se numri real i infeksioneve është shumë herë më i lartë se ai që raportohet. Sipas një prej ekspertëve të njohur bëhet fjalë për 2500 infeksione në ditë”.  

Duke e konsideruar si emergjencën më akute që kanë sot shqiptarët, Basha theksoi se edhe numri i viktimave është shumë herë më i lartë se ai që raportohet, ndërsa në spitalin e Matit janë mbyllur pavione. Sipas tij, çdo përpjekje për të hequr vëmendjen është e papërgjegjshme dhe kriminale.

“Numri i fataliteteve është po ashtu më i lartë se ai që raportohet. Si çdo gjë tjetër dhe transparenca me Covid-19 është në funksion të justifikimeve për mosmarrjen e masave. Përballja me të infektuarit dhe sëmurët e tjerë që po kthehet në shqetësim të madh

Në Mat, raportohet mbyllja e disa pavionëve për shkak të infektimit të mjekëve. Dhjetëra e qindra pacientë nuk do të arrijnë të marrin shërbimin.

Situatë e ngjashme raportohet në spitale rajonale. Në të gjitha spitalet e Tiranës infektimi dhe vetëkarantinimi i mjekëve është kthyer në problem kronik. Kjo është emergjenca më akute që kanë sot shqiptarët. Çdo përpjekje për të hequr vëmendjen është e papërgjegjshme dhe kriminale”

Kreu demokrat ripërsëriti apelin për rritjen e testimeve dhe ndaljen e hemorragjisë në buxhet, pasi numri i viktimave po shtohet dita-ditës.