Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Daci: Gjykata Kushtetuese nuk mund të ngrihet as deri në mars

Nga A2 CNN
27 Tetor 2020, 20:25 | Aktualitet
Daci: Gjykata Kushtetuese  nuk mund të ngrihet as deri në mars

Disa ditë më parë, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, nxiti zyrtarisht plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo madje dha edhe një afat duke thënë se kjo gjykatë duhet të jetë gati në dhjetor.

Por sa kohë duhet që kjo gjykatë të quhet funksionale dhe e plotësuar? A është e mundur që ajo të ngrihet deri në dhjetor, siç kërkoi ambasada amerikane?

Juristi i njohur, Jordan Daci tregon se sipas tij ngritja e gjykatës nuk do të ndodhë as deri në mars, pasi procedurat janë shumë të komplikuara.

“Nuk është aspak e lehtë. Madje është totalisht e pamundur. Unë nuk mendoj se do të ngrihet në dhjetor, por as në shkurt, as në mars nuk do të ngrihet për arsye se procedurat janë shumë të komplikuara.  Kjo vjen dhe si pasojë e gabimit në reformë, se u parashikua që KED të funksiononte me anëtarë qe nuk janë me kohë të plotë në këtë institucion, por bëjnë dhe detyrat e tjera paralelisht. Kjo ka sjellë një intinsitet më të ulët të punës së tyre.

E vërteta është se ligji kërkon tre kandidatura për një vend, gjë e cila nuk arrihet as në rastin që ne po flasim. Vetë procedura, përveçse do zgjasë verifikimi, është pastaj problemi nëse do kemi ankime apo jo. Në momentin që futet ankimi në mes, automatikisht procesi shtyhet për disa muaj. Por problemi më i madh, nuk është vetëm tek procedurat që zgjasin tej mase, por që KED çfarëdo të bëjë nuk e zgjidh dot rebusin e gjykatës Kushtetuese. Sepse në fakt Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale kur të jetë funksione Gjykata e Lartë, dhe të zgjedhë tre anëtarët që i zgjedh Gjykata e Lartë. Sepse nëse do të kemi një gjykatë me 7 veta, nuk do kemi vendimarrje, për vendime të rëndësishme sepse duhen 6 korumi për të marrë vendimin dhe duhen minimum 5 vota pro. Pra është krejtësisht e mundshme të kemi shpërndarje votash dhe pamundësi të marrjes së vendimit.

Për më tepër, është konsumuar i gjithë fondi njerëzor, i burimeve që disponon vendi me këto kritere për të konkurruar në këtë gjykatë. Praktikisht, ne kemi probleme me kandidatët e Presidentit dhe me kandidatët e Kuvendit, të cilat vijnë nga burimet jashtë gjyqësorit. Këtu duket sikur nuk ka më kandidatë dhe ata që marrin pjesë janë dukshëm në nivelin që kërkon Kushteta për Gjykatën Kushtetuese", u shpreh Daci në A2.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani