I vetmi objektiv i Ramës izolimi i vendit, Vasili: Ky parlament fëlliqësirë, kush flet në emër të tij është armik i shqiptarëve

Rama ka vetëm një objektiv: izolimin e Shqipërisë dhe rrëmbimin e parave të shqiptarëve. Kështu është shprehur nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në studion e “Ditari”, në A2 CNN.

Strategjia e Ramës është antieuropianizmi, thotë Vasili dhe ky është një plan i mirëmenduar i tij, pasi pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka demokraci dhe për pasojë as integrim europian.

“Rama i çmendur për pushtet dhe opozita e përgjegjshme për të marrë përgjegjësi, për të nxjerrë vendin nga ky qorrsokak. Qëndrim egërsisht antieuropian i Ramës, i mirëmenduar që unë i kam denoncuar pa u lodhur. Strategjia e Ramës është vetëm një; antieuropianizmi. Refuzimi jo vetëm i apelit të Varhelyi dhe mjaft personaliteteve europiane që janë vendimmarrës për të ardhmen. Shqiptarët e kanë të qartë se çdo të thotë, se ky është dhe i trashë dhe gdhë. Ka ndarë dekorata për integrimin, Europa kërkon një vend ku shteti funksionon pasi pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka demokraci dhe një vend pa demokraci nuk ka vend në Europë”.

Vasili shprehet se afera e inceneratorëve do kishte rrëzuar kushedi sa kryeminstra në Europë, ndërsa  shton se Rama merr 14 vendime brenda 24 orëve vetëm për të vjedhur para.

Me tone fyese Vasili ka folur edhe për parlamentin, i cili sipas tij nuk mund të merrte vendime dhe për këtë arsye u ngrit Këshilli Politik, që ishte një  instrument vendimmarrës dhe vendimet e tij miratoheshin pa ndryshime nga parlamenti. Vasili thekson se kushdo që flet në emër të tij është armik i shqiptarëve.

“Ishte parlament ilegjitim karavidhesh, legenësh, që nuk mund të merrte vendime. Këshilli Politik u ngrit për të shpëtuar Shqipërinë, u ndërtua mbas dështimit të 30 qershorit, ku u shtuan kushte të reja, ku Shqipëria po hynte në qorrsokak.

Këshilli Politik ishte instrument vendimmarrës, vendimet e Këshillit Politik miratoheshin pa ndryshime nga parlamenti, sepse nuk mund t’i merrte vendimet ky parlament fëlliqësirë. Kushdo që flet në emër të këtij parlamenti është thjesht një armik i shqiptarëve”.

Por thekson Vasili, shqiptarët e kanë të qartë se duke votuar timonë e tepsi plaçkiten dhe u kthehen biznesit të plehrave. Sipas tij, rezultati do të jetë shumë i thellë kundër Edi Ramës.

I pyetur në lidhje me kandidaturat e LSI-së, Vasili u shpreh se listat e kësaj force politike kanë qenë gjithnjë përfaqësuese, ndërsa shtyllat themelore janë integrimi, politika për të rinjtë që të ndalet shpopullimi dhe integrimi i gruas shqiptare, krahas arsimit, punësimit dhe ekonomisë.  

“LSI ka pasur karakteristikë të qenit në aktivitet e lëvizje që evidentonte njerëzit më të pranuar, mbështetur e votuar. Listat tona kanë qenë lista përfaqësuese më shumë se kushdo me besimin e njerëzve. LSI ka lindur si parti e parë që ka zbatuar parimin një anëtar një votë dhe gjithnjë anëtarësia ka pasur përfaqësuesit e saj.

Rruga e integrimit mbetet kredo themelore se LSI-ja është brand i integrimin, nëse nuk ka hapje ekonomike, politike të Shqipërisë nuk është kurrë e begatë. Integrim dhe politikë për të rinjtë, kriza më e rëndë është shpopullimi, integrimi i gruas shqiptare në mënyrë kapilare”, përfundoi ai.