Kodi Zgjedhor, Meta: Shpresoj që këshillat e ndërkombëtarëve të dëgjohen deri të enjten

Ilir Meta Presidenti  1100x620

Presidenti, Ilir Meta, ka reaguar pas apelit të Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se para votimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, duhet të pritet mendimi i Komisionit të Venecias.

Në një postim në “Facebook”, Meta shpërndau deklaratat e disa ndërkombëtarëve që janë në të njëjtën linjë mendimi dhe teksa i falënderon për këshillat e tyre, shkruan se shpreson që ato të dëgjohen me mençuri, deri të enjten.

Megjithatë, kreu i shtetit i siguron ata se në çdo rast, kohës së injorimit të kushteve për integrimin do t’i vijë fundi, më 25 prill.

“Falenderoj miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta. Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten.

Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, më 25 prill 2021.Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe së bashku! Në 25 prill 2021, do fillojë EPOKA E RE E SUNDIMIT TË POPULLIT, që do të sjellë edhe SUNDIMIN E LIGJIT në Shqipëri. “, shkruan Meta.

Një ditë më parë, kryeministri, Edi Rama, la të kuptohet se Parlamenti nuk do të presë opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kodin e ri zgjedhor, pasi presidenti Ilir Meta e dërgoi ligjin e shumëdebatuar atje.