Krasniqi: Fatkeqësi, Shqipëria ka sot Presidencën, Kryeministrinë dhe Parlamentin më të dobët në 10-15 vitet e fundit

Analisti Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike, foli në A2 mbi zhvillimet e fundit politike dhe veçanërisht mbi kodin zgjedhor.

Krasniqi u shpreh se Presidenti Meta duhet ta dërgonte më herët kodin në Venecia, pasi mendimi i tyre kërkon kohë dhe tashmë është vonë.

Më tej, analisti theksoi se Shqipëria sot ka ndoshta institucionin e Presidentit, institucionin e Kryeministrit, institucionin e Parlamentit, më të dobët në 10 apo 15 vitet e fundit, për shkak të agjendës personale që po ndiqet.

“Presidenti duhet ta dërgonte më herët kodin në Venecia”

“Lëvizja e fundit është vazhdimësi e skenarit të mëparshëm. Presidenti mund ta dërgonte kodin në komisionin e Venecias më përpara, në mënyrë që të kishte mundësinë për të parë nëse do të kishte ndonjë reagim zyrtar prej tyre. Po ashtu, edhe BE bëri disa vizita të rëndësishme në Tiranë, përfshirë edhe komisionerin dhe nuk arritën dot të prodhojnë një zhvillim të ri në dialogun politik në Shqipëri. Përpjekja për ta bërë në momentin e fundit i shkon mazhorancës, e cila midis interesit publik dhe elektoral është e vendosur për të ndjekur këtë të fundit. Përpjekja e tyre për ta trajtuar këshillën europiane si një pengesë në çështjen e përgatitjes së procesit zgjedhor është një paralajmërim që zgjedhjet që zgjedhjet e ardhshme rrezikojnë standardet e tyre dhe klima politike në Shqipëri do të tensionohet shumë më tepër”.

“Mendimi i Venecias kërkon kohë”

“Mendimi i Venecias mund të kërkojë shumë kohë. Maksimumi që mund të bëjë Venecia në këtë kohë është të pranojë kërkesën dhe të caktojë afate kur do ta shqyrtojë. Nga ana tjetër, do të duhet një vizitë zyrtare e tyre në Shqipëri. Edhe kërkesa që mazhoranca të reflektojë është një kërkesë politike. Ndryshimet e korrikut, në thelb nuk mund të zgjidhen me ndryshime të vogla për sa kohë kemi të bëjmë me ndryshime kushtetuese”.

“Ndërkombëtarët presin nga Shqipëria që të tregojë minimumin e maturisë politike”

“Minimumi është: shfrytëzoje kohen, shfrytëzojë Komisionin e Venecias pa ndryshuar thelbin e gjërave që ke dashur të miratosh me ndryshimet kushtetuese. Fakti që mazhoranca vet nuk e pranon këtë dhe kryeministri nuk e pranon këtë gjë, në thelb, na tregon vetëm atë që dimë të gjithë, që kryeministrat tanë, sidomos në fundin e mandatit të dytë, ku ka më shumë skandale politike sasa vendime qeverie, janë në degradimin politik dhe në kulmin e rënies politike në raport me faktorin ndërkombëtar. Logjika e kryeministrit tonë dhe në tërësi e politikanëve shqiptarë është që, ‘mjafton të kem konflikt me ndërkombëtarët, por e rëndësishme është të fitojë zgjedhjet. Nëse fitoj zgjedhjet, ndërkombëtarët aty do të jenë dhe do t’i rregullojmë marrëdhëniet me ata’. Kështu ka funksionuar më përpara dhe ka funksionuar në favor të kryeministrave kur kanë përdorur gjuhën e ashpër. Nuk jam shumë i sigurt që raportet personale do të ndikojnë shumë. Nuk mendoj se mazhoranca është e përgatitur të shkojë aq larg sa të bëjë një kompromis të ri”.

“Metës i duket i vogël kostumi i presidentit”

“Meta ka një ambicie të dukshme politike dhe kostumi i presidentit i duket i vogël. Ai premtoi se do të ishte president danez, por praktikisht në sjelljet e tij politike dhe në deklaratat e tij është e vështirë për të parë se ku fillon presidenti dhe ku fillon një kryetar partie. Madje, të një partie radikale në sjelljet e tij. Në disa nga rastet, ai ka pasur të drejtë, sidomos në shqetësimet që ka pasur në lidhje me vonesat e reformës së drejtësisë ose të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në kritikat që ka bërë për devijimin e procesit demokratik në Shqipëri dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Por, në tërësi të sjelljes së tij, nuk ka më sjellje presidenciale.

“Shqipëria, me institucionet më të dobëta në 10-15 vitet e fundit”

“Ajo që po ndodh me opozitën është tipike për një opozitë që ka humbur vite për t’u reformuar, për të ndryshuar. Ajo po mundohet t’i bëjë të gjitha për pak muaj, kur praktikisht ka pasur 8 vjet kohë për ta bërë këtë gjë. Fakti që nuk po arrin të zgjidhë problemet e brendshme dhe të paraqitet para qytetarëve dhe para ndërkombëtarëve si një alternativë e besueshme, është një investim që indirekt i shkon mazhorancës. Në këto rrethana, nuk ka një frymë të tillë, që të kuptohet që zhgënjimi qytetar është kanalizuar në alternativë dhe se palët po kërkojnë alternativën, por ka agjenda persona, luftëra personale dhe përpjekje personale për të përdorur të gjitha mjetet në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Është fatkeqësi sot, pasi Shqipëri ka ndoshta sot institucionin e Presidentit, institucionin e Kryeministrit, institucionin e Parlamentit, më të dobët në 10 apo 15 vitet e fundit, për shkak të agjendës personale që po ndiqet”.