Kreditë me problem, të qëndrueshme në 8.1%, efektet e pandemisë priten nga dhjetori

Niveli i kredive me probleme për sistemin bankar rezultoi i qëndrueshëm në nivelin 8.1% edhe për muajin gusht. Por kjo shifër nuk reflekton realitetin e këtij treguesi. Kjo pasi moratoriumi i pagesave dhe masat e përkohshme rregullatore të Bankës së Shqipërisë po e mbajnë këtë tregues të qëndrueshëm.

Sipas ekspertëve, një ide më e qartë e efektit të krizës në cilësinë e portofolit të kredisë të sistemit bankar do të krijohet nga dhjetori e në vijim vitin e ardhshëm. Kjo pasi moratoriumi iu krijoi hapësira huamarrësve që u përballën me vështirësi nga kriza t’i shtynin këstet e kredive deri në fund të muajit gusht.

Paralelisht, bankave nuk iu kërkohet provigjionim dhe riklasifikim i kredive për këtë periudhë. Duke pasur parasysh që koha e nevojshme që kreditë të klasifikohen si jo performuese është 90 ditë, gjasat për të pasur luhatje të mëdha të treguesit të kredive me probleme deri në fund të këtij viti do të jenë të pakta.

Ekspertët e sistemit bankar presin që efektet e pandemisë në kthimin e kredive do të fillojnë të reflektohen nga dhjetori, tre muaj pas gushtit, që është muaji i fundit kur moratoriumi ishte në fuqi, dhe më pas do të ndihen edhe përgjatë gjithë vitit të ardhshëm.