Nuk pranon të kthehet në Shqipëri, daja i Eva Dumanit: Deri para 10 ditësh ishte shumë aktive që të vinin të gjithë

mide ndregjoni 1100x620
Mide Nndregjoni (me të zeza) duke pritur djalin Endri Dumani. E bija, Eva, ka mbetur ende në Siri

Familjarët e personave të nxjerrë nga kampi Al-Hawl në Siri u mblodhën në Rinas për të pritur kthimin e tyre në Shqipëri.

Mes tyre dallohet edhe Mide Dumani, e cila pret të takohet më në fund me të birin, Endri Dumani, të nxjerrë një ditë më parë nga kampi famëkeq. Por me dhimbjen që e bija, Eva Dumani, nuk i është bashkuar të vëllait. Në disa mesazhe zanore që A2 ka dëgjuar, madje ajo thotë se nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri.

Daja i saj, Agim Ndregjoni, i pyetur nga gazetarët e pranishëm në Rinas, i bëri edhe një herë thirrje Evës që të kthehet, sepse këtu ka njerëzit më të dashur. “Uroj të plotësohet edhe pjesa tjetër e fëmijëve që kanë mbetur në kamp. Nuk kemi informacione të sakta, shpresojmë që të kthehet. Deri para 10 ditësh ishte shumë aktive që të ktheheshin të gjithë shqiptarët që ishin aty. Ndërsa këto 10 ditët e fundit nuk kemi informacion shumë të detajuar pse nuk po bashkëpunon për t’u kthyer”.

Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’ju bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik. Një vit më pas, gjyshja e tyre Mentije Dumani shkoi drejt Sirisë për të tërhequr fëmijët, por edhe ajo mbeti atje, e burgosur së bashku me fëmijët në kampin Al Hawl deri sa ndërroi jetë disa javë më parë.