OBSH kritikon SHBA-në: Heqja dorë nga kontrolli i pandemisë është e rrezikshme

1w 1100x620

Organizata Botërore e Shëndetësisë kritikon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për menaxhimin e emergjencës shëndetësore.

Drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se “është e rrezikshme të hiqet dorë nga kontrolli i pandemisë Covid-19”.

Kjo ishte një kundërpërgjigje ndaj deklaratës së shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, i cili pohoi se SHBA-ja nuk po kërkon më të kontrollojë pandeminë.

Kreu i OBSH-së theksoi se nuk duhet të dorëzohemi përballë emergjencës dhe se duhen përpjekje për të mbrojtur grupet më të rrezikuara.

“Ku ka pasur përçarje politike në nivel kombëtar është vënë re një mosrespektim i madh për shkencën dhe profesionistët e shëndetësisë. Është shpërndarë konfuzion, ndërsa rastet dhe vdekjet janë shtuar. Kjo është pse kam përsëritur shpesh: ndaloni politizimin e Covid-19. Pandemia nuk është futboll politik”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSH ka pasur kritika edhe për shtetet europiane duke kërkuar masa serioze në luftën ndaj koronavirusit.

“Tani për tani, ne jemi shumë prapa këtij virusi në Europë. Kështu që, për t’i dalë para duhen disa përshpejtime serioze në atë që bëjmë dhe ndoshta një natyrë gjithpërfshirëse të masave që do të nevojiten për t’i paraprirë këtij virusi”, u shpreh Mike Ryan, shef i programit të emergjencave në OBSH.

Zyrtari i OBSH paralajmëroi se pa rritje të kapacitetit të gjurmimit të rasteve dhe kontakteve, Covid-19 mund të zhysë Europën në “errësirë”. Megjithatë, Ryan vlerëson përpjekjet e shteteve të kontinentit të vjetër për të luftuar pandeminë duke rritur kapacitet në spitale.