“Po na fshehin ushqimin”, mijëra njerëz shkatërrojnë depon me ndihma

Mijëra persona kanë shkatërruar një depo me ndihma ushqimore në Nigeri, mes shpërthimit të trazirave në vendin afrikan. Magazina, në qytetin Jos, u sulmua gjatë fundjavës pasi qytetarët akuzuan qeverinë se po fshihte ndihmat ushqimore.  

Pamje aspak normale tregojnë njerëzit mbi çatinë e magazinës, duke shkatërruar atë në tentativë për të marrë ushqime. Më pas, me qindra prej tyre largohen me thasët me ushqime. Ministria ka reaguar duke thënë se ushqimet në depo do të shpërndaheshin për ata që ishin goditur më shumë nga bllokimi për shkak të koronavirusit.

“Si mund të kemi një qeveri kaq të keqe?! Qytetarët po vdesin nga uria, ndërsa ata fshehin ndihmat”, ka thënë një qytetar për France24.

Shpesh, kohët e fundit, organizatat humanitare kanë ngritur alarmin se pandemia e koronavirusit mund të ndikojë në mënyrë të ndjeshme dhe në krizën për ushqim, kryesisht në vendet afrikane.