“Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill”, Varhelyi tjetër mesazh Ramës për Kodin: Të pritet mendimi i Venecias

KR KOMISIONERI ZGJERIMI frame 554 1100x620
Kandidati për Komisioner i Fqinjësisë së mirë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka reaguar, sërish sot, në lidhje me Kodin Zgjedhor në Shqipëri. Përmes një postimi, në Twitter, Varhelyi shprehet se pret zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, më 25 prill 2021. Ai thekson se duhet të pritet mendimi i Komisionit të Venecias para votimit në Parlament.

“Kodi zgjedhor në Shqipëri: I kënaqur që kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për korrikun e ndryshimeve kushtetuese. Prandaj do të ishte e matur të presim që të dorëzohet para rivotimit në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama la të kuptohet se Parlamenti nuk do të presë opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kodin e ri zgjedhor, pasi presidenti Ilir Meta e dërgoi ligjin e shumëdebatuar atje.

“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë!”, shkroi dje Rama në Twitter, si përgjigje ndaj komisionerit europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili tha se Parlamenti duhet të merrte në konsideratë mundësinë e pritjes së opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me Kodin Zgjedhor para se të rrëzonte dekretin e presidentit.