Protesta kundër masave të qeverisë në Itali/ Plaçkiten dyqanet, Policia në alarm

Zemërimi i tregtarëve dhe pronarëve të palestrave të penalizuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave në Itali nuk ndalet.

Mijëra vetë kanë dalë në shesh nga Milano, në Napoli, Palermo, Torino dhe Romë duke plaçkitur dyqane për të kundërshtuar vendimet e qeverisë për masat anti-Covid, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur gjatë incidenteve mes demonstruesve dhe policisë.

28 persona u shoqëruan në policinë e Milanos pas incidenteve natën e kaluar gjatë një demonstrate të paautorizuar kundër masave për koronavirusin. Pozicioni i tyre po shqyrtohet nga hetuesit për masat ndaj tyre. Autorët e trazirave thuhet se janë më së shumti të rinj.

Protestat në të gjithë Italinë u shtuan pas shtrëngimit të fundit të masave të qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që ndalon lokalet pas orës 18:00 dhe ndalimin e palestrave dhe aktiviteteve sportive.

Shoferët e taksive në Torino pushtuan piazza Castello, pronarët e restoranteve në Kremonë hodhën tenxhere përpara prefekturës dhe më pas i lanë në tokë si në një varrezë enësh. Në Catania, ata hodhën bomba letre para prefekturës, në Treviso parakaluan në procesion, në Viareggio të rinjtë bllokuan trafikun dhe hodhën bomba tymi dhe fishekzjarre. Protestat u mbajtën në të gjithë Italinë kundër masave të qeverisë që imponon mbyllje të reja për të kufizuar përhapjen nga Covid. Bomba tymi dhe kokteje Molotov u qëlluan në drejtim të policisë.

Gjithashtu, plaçkitje dhe vjedhje të dyqaneve Louis Vitton dhe Gucci u raportuan në Torino dhe Romë.

Ministria e Brendshme, në Itali, ka ngritur alarmin pas zemërimit në rritje të qytetarëve : “Çështja e rendit publik është bërë shumë e ndjeshme dhe situatat më të rrezikshme duhet të zbuten”.

Protesta u zhvilluan edhe në Romë, Genoa Palermo dhe Trieste. Një prej shteteve më të goditura nga vala e parë e pandemisë ndërmori disa prej masave më strikte në Europë, gjatë pranverës, përfshirë izolim të plotë, por në atë kohë nuk pati rebelim.

Bizneset e vogla pretendojnë se ende nuk e kanë marrë veten nga kufizimet e mëparshme dhe se masat e reja do t’i çojnë në prag të falimentimit. Sipas urdhrit të ri, në fuqi deri në 24 nëntor, restorantet, baret dhe kafenetë duhet të ndalin shërbimin në tryezë në orën 18 të pasdites e të ofrojnë vetëm shërbimin take away deri në mesnatë. Sportet e kontaktit janë të ndaluara, por dyqanet dhe shumica e bizneseve do të qëndrojnë të mbyllura.

Kufizimet parashikojnë gjithashtu që 75 përqind e klasave në shkollat e mesme dhe universitete të zhvillohen online. Sipas mediave italiane, qeveritë rajonale kanë kërkuar që mësimi të kalojë plotësisht në distancë, por një lëvizje e tillë është kundërshtuar nga ministrja e arsimit Lucia Azzolina.