Armik të shqiptarëve e quan Lulzim Basha rivalin e tij në krye të qeverisë, kur insiston të mos dëgjojë kërkesën e eurokomisionerit Varhelyi për të mos nxituar me Kodin Zgjedhor, pa marrë opinionin e Komisionit të Venecias.
“Armik i popullit shqiptar. Europa i thotë mos e kalo se nuk të hap negociatat ndryshe. Por tmerri që ka nga zgjedhjet dhe ndëshkimi që do t’i vijë pas tyre e ka shtyrë që t’i vendosë shkelmin përsëri interesit të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Recidiv e gjen Kryeministrin në ato që i rreshton si sjellje kundër interesave të shqiptarëve. Basha nuk pranon as vërejtjen e paraardhësit Sali Berisha, që e quajti gabim vendimin e kryetarit demokrat për të larguar nga partia kritikët e tij në vitin 2017, të cilët pritet t’i dalin kundër në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk ka asnjë parti të dalë nga Partia Demokratike, ka vetëm parti të krijuara nga Edi Rama, por prapë është i pashpresë dhe kjo e tregon se sa i pashpresë është”, shtoi Basha.
E fundit mes forcave të reja të krijuara djathtas spektrit politik është edhe ish-n/kryetarja e PD, Jozefina Topalli që do t’i bashkohet një lëvizjeje të re politike. Por Basha nuk i druhet ndonjë dëmi elektoral ndaj partisë së tij.
Përveç Topallit, më 25 prill do të marrin pjesë në zgjedhje me forcat e tyre politike ish-demokratët Murrizi, Patozi dhe Hajdari.