Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, nëna ritakohet me të birin pas 6 vitesh

Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik. Një vit më pas, gjyshja e tyre Mentije Dumani shkoi drejt Sirisë për të tërhequr fëmijët, por edhe ajo mbeti atje, e burgosur së bashku me fëmijët në kampin Al-Hawl deri sa ndërroi jetë disa javë më parë.

Sot, pas 6 vitesh, mamaja e Endrit, Mide Ndregjoni, më në fund arriti të rishohë djalin e saj, i cili ishte pjesë e grupit prej 5 personash të rikthyer nga kampi Al-Hawl, në Siri. Peng mbetet, gjithsesi, fakti që e bija, Eva, nuk pranoi të rikthehej, duke iu fshehur autoriteteve që ishin futur në kamp për ta kërkuar.

Pas kthimit në Shqipëri së bashku me 5 shqiptarët (mes të cilëve 4 fëmijë), kryeministri Rama, tregoi se si do të bëhet riintegrimi i tyre në shoqëri. “Struktura është gati për këta 4 fëmijë dhe për gjithë të tjerët që do të vijnë më pas, me mësues e psikologë. Do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale”.

“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë, do të kthejmë edhe pjesën tjetër”, deklaroi Rama.

I pyetur nëse personat madhorë të riatdhesuar do të ndiqen penalisht, Rama u shpreh se “kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë”. Kryeministri sqaroi, gjithashtu, se shteti shqiptar po ndjek “këdo që është shtetas i Republikës i Shqipërisë, pavarësisht moshës”, duke lënë të kuptohet se është shumë e ndërlikuar përpjekja për largimin nga Siria të personave me kombësi shqiptare, por shtetas të vendeve të tjera.