Shifrat e OBSH: Vdekje nga Covid-19 në Europë u rritën me 40% krahasuar me një javë më parë

obsh mbledhje 1100x620

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije se numri i vdekjeve nga koronavirusi në javën e fundit është rritur me 40% krahasuar me një javë më parë.

Zëdhënësja e organizatës së Kombeve të Bashkuara, Margaret Harris deklaroi se Franca, Spanja, Britania e Madhe, Holanda dhe Rusia raportojnë numrin më të madh të rasteve të reja në Kontinentin e Vjetër, të cilat u rritën me 30%.

“Shqetësimi është, njësitë e terapive intensive në spitale kanë filluar të mbushen me pacientë shumë të sëmurë”, paralajmëroi ajo.

Rusia raportoi 320 viktima në 24 orët e fundit, ndërkohë që edhe Italia kishte një rritje të fataliteteve krahasuar me një ditë më parë.

“Në rajonin e Europës ne po shohim një rritje të madhe dhe alarmuese të rasteve të reja dhe vdekjeve nga koronavirusi. Pavarësisht menaxhimit më të mirë të kapaciteteve spitalore, në shumë vende ato janë duke u mbushur me një shpejtësi shumë të madhe”, shtoi ajo.