Shqiptarët e kthyer nga Siria, Rama: Kemi gati strukturat për integrimin e fëmijëve. Kush ka bërë krime, do t’i nënshtrohet drejtësisë

Kryeministri Edi Rama, pas kthimit në Shqipëri së bashku me 5 shqiptarë (mes të cilëve 4 fëmijë), të shpëtuar nga kampi Al-Hawl në Siri, tregoi se si do të bëhet riintegrimi i tyre në Shqipëri.

“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë, do të kthejmë edhe pjesën tjetër”, deklaroi Rama.

Kryeministri tregoi edhe mënyrën se si do të integrohen në shoqëri këta fëmijë: “Struktura është gati për këta 4 fëmijë dhe për gjithë të tjerët që do të vijnë më pas, me mësues e psikologë. Do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale”.

Në lidhje me personat madhorë, Rama u shpreh se “kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë”.

Rama sqaroi se shteti shqiptar po ndjek “këdo që është shtetas i Republikës i Shqipërisë, pavarësisht moshës”.