Kërkesat e Ligës, Fidel Ylli: Kanë mirëkuptimin e kryeministrit, por nuk shkon bojkoti dhe afatet

Fidel Ylli, i deleguari i kryeministrit Edi Rama për të negociuar me Ligën Profesioniste të Futbollit, iu është përgjigjur kërkesave të tyre me anë të një letre.

Në të, Ylli vlerëson hapin e Ligës “që kupton se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve është dialogu dhe jo ultimatumet”, edhe pse i vonuar.

Sipas tij, tashmë kryeministri i ka në tavolinën e tij të katër variantet e mundshme për 4 pikët e kërkuar nga Liga, kërkesa që sipas Yllit “kanë mirëkuptimin e kryeministrit”.

Ylli gjithsesi thekson se afatet dhe vazhdimi i bojkotit janë “kushtëzim i papranueshëm”, duke sugjeruar rifillimin e aktivitetit.

Liga Profesioniste e Futbollit i kishte dërguar një letër zyrtare deputetit Fidel Ylli ku i bënte të ditur se vlerësonte si një hap pozitiv takimin e kreut të FSHF, Armand Duka, me kryeministrin Rama, ndërsa theksohej se pritej një përgjigje pozitive nga qeveria deri ditën e enjte.