Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Me avion dhe nëndetëse, vërshojnë tonelatat e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara

Nga A2 CNN
28 Tetor 2020, 15:04 | Bota

Ushtria meksikane arriti të kapte një avion privat që kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në hapësirën e saj dhe pasi e detyroi të ulej në një aeroport pranë kufirit me Belizen, zbuloi brenda tij rreth 1,5 tonë kokainë.

Lajmin e dha vetë presidenti i vendit, Andrés Manuel López Obrador, duke thënë se ishte arrestuar vetëm njëri prej dy personave në bord, ndërsa tjetri kishte arritur të largohej. Sasia e madhe e kokainës do të kapte një vlerë prej 72 milionë dollarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është hera e dytë brenda tri javësh që ushtria ndalon një avion të mbushur me lëndë narkotike. Më 5 tetor, një avion me kokainë me vlerë 19 milionë dollarë u përplas në Kueretaro pasi u detyrua të ulej nga ushtria. Në aksident humbën jetën dy personat që ishin brenda tij.

Në 2 shtator, një sasi rekord prej 3 mijë kilogramësh kokainë, me vlerë 142 milionë dollarë, u konfiskuan në një skaf që po lundronte pranë brigjeve të qytetit Kintana Ru.

Por droga nuk shkon vetëm me avionë drejt Shteteve të Bashkuara nga Amerika e Jugut. Autoritetet kolumbiane raportuan këtë të mërkurë se kishin ndaluar një nëndetëse “artizanale” me rreth 2 tonë kokainë në bord, që në tregun amerikan do të kapnin vlerën 60 milionë dollarë, raporton Reuters.

Brena nëndetëses u gjetën dhe u arrestuan tre persona, një kolumbian, një ekuadorian dhe një meksikan, të cilët sapo ishin nisur për udhëtimin e tyre në Oqeanin Paqësor për të dërguar kokainën nga Kolumbia në Meksikë, ose SHBA.

Kolumbia është një prej vendeve kryesore të prodhimit të kokainës, që konsumohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë. Prodhimi i saj është burim kryesor i të ardhurave për grupet e armatosura, që furnizojnë në këtë mënyrë konfliktet e brendshme të shtetit prej pesë dekadash, me një bilanc tragjik prej më shumë se 260 mijë viktimash.

A2 CNN Livestream

Dita jonë