Mediu: Nevojë për organizim imediat të opozitës në një program politik dhe qeverisës të përbashkët

Partia Republikane mblodhi strukturat e saj në Laç, ku kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, theksoi nevojën e organizimit imediat të opozitës në një program politik dhe qeverisës të përbashkët dhe angazhimin në çdo qendër votimi për të mbrojtur votat e shqiptarëve nga manipulimi i Edi Ramës ndërmjet ndryshimeve antikushtetuese dhe antiligjore të Kodit Elektoral.

“Bashkimi me rrugën tonë i shqiptarëve, sidomos i të rinjve, pedagogëve, profesionistëve, bashkimi i grupeve të djathta dhe kontribuesve të këtyre 30 viteve, është një domosdoshmëri. Asnjë votë e djathtë nuk duhet të shkojë në favor të Edi Ramës sepse ajo votë shkon kundër të ardhmes europiane dhe kundër shqiptarëve”, deklaroi kreu i PR-së.

Mediu më pas theksoi se pas 25 prillit, në mandatin e parë qeverisës, “ne do e bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, ashtu siç e bëmë anëtare të NATO-s me mandatin e parë të qeverisë Berisha”.