Shqiptarët në Siri, Bilali: Kthimi duhet të bëhet i detyruar, jo me dëshirë

28 TETOR 2020 LAJME DITARI 19 00 P1 frame 51065 1100x620

Avokati Elis Bilali ishte i ftuar në edicionin e pasdites së Ditarit, në A2, ku foli në lidhje me lajmin e ditëve të fundit për procesin e riatdhesimit të shqiptarëve të bllokuar në Siri.

Sipas avokatit Bilali, një pjesë e shqiptarëve që janë bllokuar në këtë vend kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik dhe shumë prej tyre kanë kryer dhe krime ose kanë shkelur ligjin shqiptar në lidhje me angazhimin e tyre në luftërat jashtë vendit.

Për këtë arsye, Bilali shprehet se shteti shqiptar duhet ta bëjë procesin e riatdhesimit të detyruar dhe strukturat e Prokurorisë së Posaçme duhet të bashkëpunojnë me partnerët që këta persona të përballen me drejtësinë për shkeljet që mund të kenë bërë.

“Shteti shqiptar duhet të bëjë një ndarje shumë të madhe. Ky proces riatdhesimi do të jetë në bazë të vullnetit që kanë ata njerëz që janë atje për t’u riatdhesuar, apo shteti shqiptar duhet të marrë masa që ky proces të jetë dhe i detyruar në kushtet që janë shtetas shqiptarë dhe në kushtet kur shteti shqiptar ka fakte se këta shtetas kanë kryer vepra penale të kërkojë riatdhesimin e detyruar të këtyre personave. Pra duhet të ndajmë një moment shumë të rëndësishëm. Ka ardhur momenti që shteti shqiptar të lërë mënjanë fushatën qoftë institucionale apo politike.

Mendoj se shteti shqiptar duhet që këtë proces riatdhesimi ta bëjë të detyruar pikërisht dhe në funksion të hetimeve që është duke kryer dhe një institucion i rëndësishëm si Prokuroria e Posaçme. Sigurisht që nga kjo deklaratë e imja bëjnë përjashtim fëmijët. Prokuroria e Posaçme të bëjë verifikimet e nevojshme, të fillojë bashkëpunimin edhe pse është shumë e vështirë, kërkon shumë kohë në lidhje me veprimet e këtyre personave jashtë territorit të Shqipërisë. Dhe ata persona që kanë konsumuar vepra penale me qëllime terroriste, pjesëmarrje apo financim të organizatave terroriste, të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit”, tha Bilali.