Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Tabaku: Ndryshimet kushtetuese, totalisht të panevojshme

Nga A2 CNN
28 Tetor 2020, 14:32 | Politikë
Tabaku: Ndryshimet kushtetuese, totalisht të panevojshme

Jorida Tabaku, përfaqësuese e Partisë Demokratike, u shpreh në “Ditari” në A2 se ndryshimet kushtetuese të mazhorancës “ishin totalisht të panevojshme” dhe shtoi se ato “nuk kishin lidhje as me plotësimin e parakushteve të integrimit në BE dhe as me plotësimin e detyrimeve të OSBE/ODIHR për një reformë të plotë zgjedhore”.

“Ndryshimet u bënë me një qëllim: si të manipulojmë sistemin për të marrë maksimumin e mundshëm të votave. Kur bëhet fjalë për integrimin, të gjithë palët kemi rënë dakord që është prioritet. Nuk ka për të ndodhur kurrsesi mbajtja me forcë e pushtetit. Çfarëdo që të bëjnë këta me sistemin, largimi i qeverisë është i paevitueshëm. Thirrjet e komisionerit për zgjerimin duhen dëgjuar sepse përderisa bën thirrje komisioneri, kjo do të thotë se parakushti për Reformën Zgjedhore nuk është plotësuar. Nuk ka pasur konsensus të plotë për këto ndryshime kushtetuese”, deklaroi Tabaku.

“Është hera e parë në 30 vite që Reforma Zgjedhore bëhet pa konsensus, pavarësisht se kanë ndodhur shumë gjëra në jetën politike të vendit”, shtoi Tabaku, e cila foli edhe për kallëzimin në SPAK të Partisë Demokratike për inceneratorët.

“Nuk ka pasur kurrë një aferë më të madhe sesa inceneratorët. Janë mbi 430 milionë euro të dhëna pa garë te miqtë personalë të ministrit Arben Ahmetaj. Dosjen e kemi dorëzuar në SPAK dhe duhet të nisin hetimet. Ne kemi 3 vite që e kemi nisur këtë çështje, shumë media nuk e kanë pasqyruar këtë gjë. Vetëm në javët e fundit, kur afera u thellua, u rrit vëmendja. Duke pasur parasysh se të gjitha provat ishin atje, SPAK-u duhet të niste hetimin para se të depozitonte kallëzim PD-ja. Tani është në dorën e tyre për të çuar para drejtësisë të përfshirët te afera e incineratorëve”, u shpreh Tabaku.

Në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2021, Tabaku e cilësoi atë si jorealist: “Ai i paraqitur tani nga PS-ja është program elektoral, por nuk kam parë buxhet më butaforik, pa bazë dhe më pak realist. Parashikojnë rritje të të ardhurave me 10%, por çfarë politike po ndërmarrin këta për këtë rritje? Parashikojnë që do të rritet ekonomia me 5,1%, por si do të ndodhë kjo rritje kur jemi -6% tani? Po të lexosh buxhetin, nuk e kupton dot se kush është prioriteti i kësaj qeverie. Asgjë nga ai buxhet nuk ka për t’u realizuar”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë