Topalli prezanton nismën politike: 3 kryetarë s’mund të mbajnë Shqipërinë, dua të bëhem avokatja e interesave tuaj

Ashti siç kishte paralajmëruar, ish-deputetja Jozefina Topalli ka prezantuar pasditen e së mërkurës, nismën e saj politike “Lëvizja për ndryshim”.

Jam e vendosur, tha Topalli, për të mos heshtur e qëndruar mënjanë. Aktualisht, tha ajo, nuk ka as qeveri e as opozitë të besueshme.

“Asnjeri nuk është i sigurt dhe në një ditë të gjithë duhet të takohemi me sfida. Nuk kemi kohë të presim. Fushata ka filluar me po ata të tre që shantazhohen për interesa private”.

Më tej, Topalli theksoi se vendi është pa alternativë. “Ata besojnë se duke thënë gënjeshtra konstante do të zhdukin të vërtetën, por e vërteta është liria jonë. Për çdo lëvizje të re sulmojnë dhe shpifin. 3 kryetarë nuk mund të mbajnë peng 3 milionë shqiptarë”, u shpreh mes të tjerave Topalli.

Më tej, Topalli u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me lëvizjen e saj politike. “Dua të bëhem avokatja e interesave tuaj. Ju ofroj vetëm një sfidë, kapeni! Kam përvojën e nevojshme. Kam frikë se nesër do jetë vonë. Bashkohu me ne. Deri në 25 prill, unë nuk do të rresht. Në 25 prill do heshtim, do flasin shqiptarët. Atë ditë do të vendoset nëse do të ketë një Shqipëri të Ramës, Metës, Bashës, apo të shqiptarëve”, tha Topalli.