Zgjedhjet në SHBA, Trump mësyn shtetet “e lëkundura”, Biden synon territore të reja

Presidenti amerikan Donald Trump dhe sfiduesi demokrat Joe Biden bëjnë përpjekjet e fundit, për joshjen e votuesve të pavendosur më pak se një javë para zgjedhjeve. Biden sulmoi ashpër rivalin në një territor tradicionalisht republikan si Xheorxhia, duke e quajtur atë një mashtrues dhe përçarës.

 “Të gjithë e dimë se kush është Donald Trump. Le të tregojmë se kush jemi ne. Ne zgjedhim shpresën mbi frikën, unitetin mbi përçarje, shkencën mbi trillimet dhe të vërtetën mbi gënjeshtrën. Nëse fitojmë Xheorxhan fitojmë gjithçka”, ishin fjalët e Biden.

Donald Trump vijoi blicin e tubimeve në Shtetet e Lëkundura të cilat i fitoi në 2016, por që sipas sondazheve rrezikon t’i humbë këtë vit, pasi rivali është në përparësi të lehtë. Ai ndaloi në Nebraska, Miçigan dhe Uiskonsin, dy shtete të cilat ua mori demokratëve 4 vite më parë.

Melania Trump në mbrojtje të bashkëshortit

Mbështetësve në Miçigan u tha se zgjedhjet janë çështje e mbijetesës ekonomike për këtë shtet. “Është një zgjedhje mes zhvillimit të Trump ose izolimit Biden”, deklaroi presidenti.  

Grave të periferisë, një kategori të cilën Trump po lufton ta fitojë, u tha se do të kthente burrat e tyre në punë. Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, presidenti ripërtëriu kritikat për votat me postë, mbi 46 milionë prej të cilave janë hedhur tashmë. Sasia e madhe e këtyre votave, që mund të kërkojnë ditë ose javë për t’u numëruar, nënkupton se fituesi mund të mos mësohet mbrëmjen e 3 nëntorit. Ndërkaq, zonja e parë Melania Trump iu bashkua fushatës për herë të parë ditën e martë, duke e sulmuar Biden si socialist. 

“Media ka krijuar një portret të bashkëshortit tim që unë nuk e njoh. Donald Trump është një luftëtar. Ai e do vendin e tij dhe lufton për ju çdo ditë. Për herë të parë në histori, qytetarët e këtij vendi dëgjojnë çdo gjë e në çdo kohë nga presidenti i tyre përmes rrjeteve sociale. Unë nuk jam gjithmonë dakord me ato që thotë, por është e rëndësishme për të që të flasë në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët të cilëve u shërben”, deklaroi Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara.