Kodi Zgjedhor, Kaso: Një qeveri normale do të priste “Venecian”, askush të mos guxojë të prekë votën

Kodi Zgjedhor kaloi procedurën e fundit sot në parlament, ku mazhoranca rrëzoi dekretin e presidentit, i cili e riktheu atë për rishqyrtim.

Sipas Edi Ramës, mazhoranca nuk do të bjerë pre e lojës së Ilir Metës, ndaj siç u shpreh ai, nuk ka më kthim prapa. Opozita e dënon rrëzimin e dekretit në parlament dhe tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë do të publikojë Komisioni i Venecias në lidhje me opinionin e kërkuar nga Presidenti.

Mbi këtë temë foli në A2 Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore në PD. Ai u shpreh se gjithmonë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor kanë marrë vulën e Venecias, ndërsa në këtë rast, Kaso thotë se kemi një qëndrim refraktar të mazhorancës. “Opinioni i Venecias ka atë vlerë që ai ka mbartur gjithmonë, sa herë kemi pasur ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Ka qenë gjithmonë një opinion i përbashkët mes Komisionit të Venecias dhe ODIHR, i cili i ka vënë vulën përfundimtare ndryshimeve në kornizën ligjore. Kjo gjë pritet edhe këtë herë, pavarësisht ndryshimeve të njëanshme. Qartazi, kemi një qëndrim refraktar të mazhorancës. Nguti për ta miratuar në mënyrë të njëanshme legjislacionit, vetëm për llogari elektorale të të njëjtës palë dhe tmerrin që mazhoranca në pushtet ka, jo vetëm nga zgjedhjet e lira në përgjithësi, por nga çfarëdo zëri të arsyeshëm që në zgjedhjet e ardhshme do t’i shohë në një klimë politike sa më pak të tensionuar”.

Por, a ka më hapësirë për ndërhyrje në kodin zgjedhor? “Teknikisht është e mundur çdo gjë, por mungon vullneti politik. Arroganca nuk na lë për të shpresuar për asgjë të mirë në këtë drejtim. Megjithatë, kjo nuk e shmang rrotacionin në zgjedhje. Një qeveri normale do ta priste opinionin e Venecias”.

Kaso theksoi se Rama do të bëjë ç’të mundet për të ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve, por ai thotë se opozita nuk do të lejojë askënd të fusë duart në kutitë e votimit.

“Beteja e opozitës ka qenë dhe është, të vihet në krye të zemërimit popullor, të marrë përgjegjësitë e saja si opozitë për t’u dhënë shqiptarëve alternativën më të mirë. Kjo është detyra e opozitës. Edi Rama dhe kjo mazhorancë nuk do të lënë gurë pa luajtur për ta ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve. Me rregulla loje nuk kanë asnjë shpresë. Detyra e opozitës është të mobilizojë çdo zë. Ne do të marrim të gjitha përgjegjësitë që askush të mos guxojë të fusë duart në kutitë e votimit. Kush guxon do të përballet me ligjin”.