Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Kriza prek Bashkitë, më pak të ardhura në arkat e pushtetit vendor

Nga A2 CNN
29 Tetor 2020, 19:28 | Ekonomi
Kriza prek Bashkitë, më pak të ardhura në arkat e pushtetit

Bashkitë po përballen me një situatë të paprecedentë për shkak të pandemisë së Covid-19, që ka krijuar probleme të mëdha për financat vendore.

Sipas raportit të Financave Vendore, publikuar nga COPLAN dhe Ministria e Financave, për gjashtë muajt e parë të vitit, 61 bashkitë në vend kanë raportuar një rënie prej 26.7% të të ardhurave nga burimet e veta vendore.

Këtu përfshihen të ardhurat që pushteti vendor mbledh nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, tarifat për përdorimin e hapësirave publike, pastrimin, gjelbërimin, parkimi, etj.

Bashkitë, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Mirditë, Kamëz, Kavajë dhe Selenicë rezultojnë më të goditura, me humbjet nga burimet e veta që shkojnë mbi 50% të nivelit të të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Edhe bashkitë më të mëdha në vend, Tirana dhe Durrësi, kanë raportuar mungesa të konsiderueshme në buxhetet e tyre nga ky zë, në përkatësisht -21.6% dhe -30.8% krahasuar me janar-qershorin 2019.

Ngadalësimi i ritmit në aktivitetin e ndërtimit është një nga faktorët kryesorë në këtë rënie, veçanërisht për kryeqytetin. Ndërsa, goditja në sektorin e turizmit ka dhënë një kontribut negativ kryesisht për bashkitë bregdetare, që kanë siguruar më pak të ardhura nga taksat dhe tarifat e lidhura me të.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani