Manastirliu: Së shpejti, testimi i shpejtë për COVID-19, opozita sulmon, por po vlerësohemi ndërkombëtarisht

Së shpejti, do të përdoret testimi i shpejtë i COVID-19. Këto ishin fjalët e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në Kuvend, gjatë seancës parlamentare.  

“Nga qershori deri më sot është katërfishuar numri i testeve, po përgatitemi për të rritur testimet edhe duke përfshirë testimin e shpejtë, testin e antigenit siç quhet ndryshe”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj.

Manastrliu shtoi se, përtej sulmeve të opozitës, autoritetet po e menaxhojnë situatën dhe kjo po vlerësohet edhe nga revista ndërkombëtare si “The Lancet”, që sipas saj e ka vlerësuar shërbimin mjekësor të vendit tonë me 70 pikë nga 100 të mundshme.

“Shqipëria ka marrë 70 pikë, njësoj si Rumania pra vende të Europës dhe më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor. Indikatorët për të cilat sistemi shëndetësor shqiptar ka shënuar pikët më të larta janë për sa i përket trajtimit të tumorit të gjirit, të tumorit çervikal dhe uterin, trajtimit të sëmundjeve lidhur me diabetin, të tuberkulozit, trajtimit të sëmundjeve pulmonare. Për sa i përket kujdesit të nënës dhe të lindjes dhe pas lindjes së fëmijës si dhe mbulimin vaksinal. Të gjitha këto janë vlerësime të rëndësishme që ne marrim jo nga studime të bëra nga organizata të pa certifikuara, jo nga grafikë të bërë me matematikë të gabuar, por nga revista prestigjioze”, tha Manastirliu.