Sulm terrorist në një kishë të Francës, 3 viktima. Dy prej tyre u pritet koka

Franca tronditet nga një tjetër ngjarje e rëndë. 3 persona janë vrarë me thikë në qytetin e Nisës në brendësi të një kishe, bën të ditur policia. Kryebashkiaku Christian Estrosi e konsideroi ngjarjen “një sulm terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

“Mund ta them se Nisa, ashtu si Franca, ndoshta më shumë se vendet e tjera në Francë, po paguan një çmim të rëndë, sërish viktimë e ‘Islamo-fashizmit’. Nuk ka asnjë dyshim për atë çfarë qëndron pas veprimeve të agresorit, i cili vazhdimisht përsëriste ‘Allahu Akbar’ përballë nesh, ndërsa po trajtohej nga mjekët në vendngjarje”. Policia tha se autori i dyshuar është arrestuar menjëherë në vendngjarje. Prokurorët e antiterrorit kanë hapur një hetim për vrasje.

Viktimat janë dy gra dhe një burrë, i cili ishte punonjës i bazilikës. Mësohet se dy prej viktimave u është prerë koka. Autoritetet lokale në Nisë kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha kishave për arsye sigurie dhe kanë angazhuar forca të rendit për mbikëqyrjen e tyre.

Ky sulm vjen pasi një 18-vjeçar pakistanez plagosi me thikë dy persona jashtë zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”, me të riun që pranoi se kreu sulmin për karikaturat e Profetit Muhamed. Ndërsa në fillim të këtij muaji, një profesori historie francez, Samuel Paty, iu pre koka në Paris për të njëjtat karikatura.

Ndërsa disa orë pas sulmit në Nisë, një person i armatosur me thikë është vrarë nga policia në Avignone. Forcat e rendit ndërhynë pasi autori tentoi t’i sulmonte ndërsa thërriste “Allahu Akbar”.

  • LAJMI I FUNDIT | Absolut 4, Opozita në zgjedhje
  • LAJMI I FUNDIT | I ftuar: Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane
  • LAJMI I FUNDIT | Mediu: Mbështetja e Vucic për Ramën, skandaloze