Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me koordinatorët e partisë në njësinë 7 në Tiranë, deklaroi se vendi po shkon drejt një krize politike me BE-në për shkak të një kryeministri të papërgjegjshëm.
“Refuzimi i BE, komisionerit për zgjerim, Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian për të pritur vendimin e Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor tregon qartë se Edi Rama është i vendosur kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë Europiane. Rama është i vendosur që të vjedhë zgjedhjet, të shkatërrojë çdo mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqiptarët e kanë detyrën e tyre historike që t’i bashkohen për të larguar të keqen, antieuropianizmin, banalitetin, krimin, korrupsionin dhe përbuzjen që përfaqëson Rama”, tha Mediu.
Kreu i PR-së shtoi: “Opozita, brenda mandatit të saj të parë do të bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së. Ajo do të bashkojë shqiptarët në përballjen me regjimin e korruptuar të Ramës dhe ndërtimin e shpresës dhe besimit Europian. Opozita nuk ka kohë për të humbur, ajo duhet të bashkohet në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo qendër votimi, për të mbrojtur liritë e shqiptarëve dhe garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Kryetari Mediu vuri në dukje se të rinjtë si Famela, Blendi dhe të rinjtë e PR do bëjnë të mundur që Partia Republikane të jetë një forcë vendimtare në zgjedhje dhe qeverinë e të djathtës pas 25 prillit.