“Nuk shikoj asnjë pengesë që të bashkëpunojmë me forcën e zonjës Topalli”

Fabjan Topollaj, përfaqësues i Bindjes Demokratike, deklaroi në “Dita jonë” në A2 se nuk shikon asnjë pengesë që BD-ja të bashkëpunojë me forcën e re të zonjës Jozefina Topalli.

“Bindja Demokratike ka marrë dy vendime kryesore: e para, refuzojmë të dalim me një koalicion para zgjedhjeve me tri forcat kryesore politike në vend, por jemi të hapur për bashkëpunim me këdo që mendon njësoj si ne. E dyta, në kushtet kur listat nuk u hapën, duam një listë të përbashkët me ne dhe ta hapim atë listë 100%. Me plotësimin e këtyre dy kushteve, nuk shikoj asnjë pengesë që të bashkëpunojmë me forcën e zonjës Topalli”, u shpreh Topollaj.

Sipas tij, “është pozitiv pasurimi i spektrit opozitar, jo vetëm sa i përket të djathtës”.

“Shqipëria nuk ka asnjë të keqe nga lindja e partive të reja opozitare, pasi për mendimin tim ato i shkurtojnë jetën pozitës”, theksoi Topollaj.

Në lidhje me etiketimin e partive të reja si “kukulla të Edi Ramës, Topollaj deklaroi: “Lulzim Basha ka pasur prioritet mbajtjen e monopolit të opozitës dhe në këtë aspekt ky është reagim i pritshëm, pasi ai e shikon opozitën si pronë të tij. Forcat politike të reja, përfshirë Bindjen Demokratike, janë forca qartazi opozitare. Nuk më çudit reagimi i Bashës, pasi qëllimi i tij kryesor është mbajtja e monopolit të opozitës sepse mendon se pushteti do t’i vijë vetë një ditë. PD dhe LSI i ofrojnë shqiptarëve sot vetëm rrotacionin dhe kjo nuk është ajo që kanë nevojë shqiptarët, sot. Ne i ofrojmë shqiptarëve ndryshimin”.